E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i ri që krijon pritje të gjata!

Sistemi i ri i gjendjes civile, i lansuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, i cili është funksionalizuar nga e marta e kësaj jave, po vazhdon të krijojë radhë të gjata të qytetarëve në pritje për t’u pajisur me certifikata.

Zyrtarët komunalë kanë deklaruar se dje ka qenë pak më mirë se ditë më parë kur nisi ky sistem.

Drejtori i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Prishtinës, Edon Miftari, ka thënë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ky sistem për procesin e liberalizimit të vizave, por i bën thirrje Ministrisë se Punëve të Brendshme që të rrisë efikasitetin e sistemit, pasi që me punën që aktualisht është duke u bërë më ketë sistem, për t’u pajisur me certifikatë të lindjes një qytetari i duhet të presë me orë të tëra e ndoshta edhe tërë ditën, e jo maksimalisht 10 minuta siç kanë pritur me sistemin e kaluar, shkruan Zëri.

Komunarët fajësojnë MPB-në se nuk e ka trajnuar sa duhet stafin komunal në tërë Kosovën.
“Jemi të vetëdijshëm se ky sistem është më efikas por problemi është se MPB-ja, është dashur të trajnojë më shumë stafin komunal. Për pasojë të stafit të papërgatitur sa duhet sistem i po funksionon shumë ngadalë, pasi marrja e të dhënave po merr kohë. Qytetarët po nervozohen dhe nuk po e dinë se këtë sistem e ka lansuar Ministria, andaj fajin dhe nervozen ua hedhin zyrtarëve komunalë”, ka thënë dje, drejtori Miftari.

Ai i ka bërë apel MPB-së që t’ua mundësojë edhe Bashkësive Lokale në Komunën e Prishtinës të kenë qasje në këtë sistem dhe po ashtu për një kohë të caktuar t’ua dërgojë atyre nga një zyrtar të Ministrisë, në mënyrë që të adaptohen më lehtë.
“Kjo të bëhet në mënyrë që të lehtësohet puna tek objekti i vjetër i Komunës, ku edhe është Qendra”, shtoi ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Abedin Mehmeti, lidhur me problemet që kanë dalë fajin ia ka hedhur Komunës së Prishtinës, e jo sistemit.

Edhe ministri i MPB-së, Bajram Rexhepi, në konferencën e djeshme lidhur me këtë ka thënë se sistemi i regjistrit qendror të gjendjes civile po funksionon shumë mirë.
“Unë mund të konstatoj, edhe në bazë të informacionit që kemi nga ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Regjistrimit Civil, që problemi nuk është te sistemi. Sistemi funksionon. Këta zyrtarë të gjendjes civile që janë diku mbi 500, kanë pasur trajnime të duhura. Ky projekt që nga nëntori ka qenë në dispozicion të këtyre zyrtarëve që t’i bëjnë testimet e duhura, dhe të përgatiten”, ka thënë ai.

Çështja e lëshimit të certifikatave, sipas Rexhepit, është njëra ndër kërkesat e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, dhe është në interes të qytetarëve dhe të shtetit që të prodhohen dokumente të cilësisë dhe të sigurisë së lartë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›