Assange gjykata londineze e liron
Julian Assange ka marrë dje vendimin për t’u liruar nga burgu nga ana e gjykatës britanike. Sot ai me të dalë do të shkojë të jetojë në një shtëpi periferike në Londër. Gjykata britanike ka vendosur të hedhë poshtë apelin e bërë nga prokurorët suedezë. Këta të fundit këmbëngulën që Assange të qëndronte në burg gjatë procesit të çështjes së ekstradimit.
Jashtë gjykatës londineze në të cilën është marrë dje vendimi ka pasur duartrokitje në momentin e dhënies së tij. Avokati i Assange, Mark Stephens, deklaroi se ishte shumë i kënaqur” me vendimin i cili ndër të tjera u kërkonte prokurorëve që të paguanin shpenzimet e gjykimit të të pandehurit. Assange ka në Britaninë e Madhe që në datën 7 dhjetor në vijim të dorëzimit të tij vullnetar në policinë britanike pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga prokuroria suedeze për ‘krime seksuale”. Assange ka mohuar çdo lloj akuze dhe ka refuzuar kërkesën e autoriteteve suedeze për ekstradim.
Prokurorët kanë argumentuar se ekziston rreziku që 39-vjeçari australian të largohet dhe të fshihet në rast se do të lirohej, por siç duket gjykatësit britanikë kanë pasur një tjetër mendim në lidhje me një çështje të tillë në këmbim të një shume të madhe parash dhe shumë kufizimeve të lëvizjes i kanë dhënë Assange lirinë për momentin. Sipas avokatit, Assange nuk do të largohet, sepse ai ka dëshirë që të pastrojë njëherë e mirë emrin e tij nga akuzat që i bëhen. Assange i veshur me një kostum të errët ka buzëqeshur ndërsa është shfaqur në sallën e gjyqit në pritje të vendimit. Ai ka kaluar edhe natën e mbrëmshme në burg derisa të plotësohen të gjitha dokumentet e lirimit. Avokatët e tij duhet që të bëjnë bashkë 200 mijë paund. Ata kanë një pjesë, por do të marrin edhe pjesën e mbetur nga disa mbështetës të pasur. Assange e mori dy ditë më parë vendimin për liri me kusht, por ky vendim u apelua nga prokurorët suedezë brenda 48 orëshit.
Assange që i ka mohuar akuzat ka deklaruar se është i gatshëm që të debatojë dhe të dialogojë me prokurorët në mënyra të ndryshme përmes një videokonfernce, apo në një marrje në pyetje në ambasadën britanike në Suedi. Gjatë periudhës pas arrestimit mbështetësit e tij në rang global janë rritur shumë në numër dhe veç kësaj hakersat kanë nisur edhe sulmet ndaj sajteve të cilat e përjashtuan “Wikileaks” nga shërbimet e tyre.
Prokurorja suedeze e çështjes së Assange deklaroi se vendimi i gjykatës britanike nuk do të ndryshojë këmbënguljen e prokurorëve për të vazhduar çështjen e ngritur kundër Assange.