Albanians Got Talent kurorezon sot fituesin
“Albanian’s Got Talent” mbërrin në natën finale. Secili prej nëntë konkurrentëve që do të ngjiten sot, ora 20.45 në sallën e Akademisë së Arteve do të synojë fitoren. Për nëntë puntata, një nga formatet më të suksesshme sjellë në Shqipëri nga “Top Channel” me patentën e “FreMantle Media”, u dha mundësi shqiptarëve të tregonin talentin e tyre. Spektatorët kanë parë të ngjiten në skenë nga më i vogli, Briseidi 3-vjeçar që di të gjithë kryeqytetet e botës deri te Safet Shirka, 73-vjeçari që bën rrep. Finalistët e natës së sotme kanë dalë nga tri net gjysmëfinale, ku në secilën puntatë publiku nga Shqipëria dhe Kosova përmes votimit ka zgjedhur dy fitues, ndërsa i treti është zgjedhur nga juria e përbërë na regjisori Altin Basha dhe këngëtarët Rovena Dilo dhe Armend Rexhepagiq. “All Stars” konkurron në break dance, Albano Ferraj po ashtu, në këngë konkurrojnë Gjon Muharremaj, Edona Vatori, Florian Nazifi dhe motrat Ana e Besarta Kabashi, Drilon Hoxha në imitim dhe Orget Sadiku në instrument. Konkurrentët do të vijnë sot me performancën më të mirë të tyre, në përpjekje për të bindur publikun t’i votojë. Ndërkohë, finalja e “Albanian’s Got Talent” nuk do të jetë vetëm një garë mes konkurrentëve, por një show i vërtetë. Me një skenografi të realizuar posaçërisht për këtë spektakël, organizatorët garantojnë se do të ketë shumë surpriza. Disa prej ish-konkurrentëve të këtij spektakli, të cilët nuk arritën të kalojnë në finale do të kthehen për të përshëndetur publikun me numra specialë. Në fakt, edhe ata tashmë janë protagonistë. Janë të ftuar në programe televizive, janë mjaft të klikuar në you tube dhe të komentuar në blogje të ndryshme. “Albanian’s Got Talent” për nëntë javë ka arritur shikueshmërinë maksimale. Spektakli do të drejtohet nga Albana Osmani dhe Benet Kaçi, ndërkohë që gjatë natës finale aktive do të jetë edhe juria. Ndonëse nuk do të kenë të drejtën e përzgjedhjes, juria si çdo puntatë do të komentojë performancat e konkurrentëve. Formula e natës finale do të jetë e ngjashme me atë të gjysmëfinaleve. Të gjithë konkurrentët do të ngjiten në skenë njëri pas tjetrit dhe vetëm në përfundim të të gjitha performancave do të hapet televotimi. Në një kohë të barabartë për të gjithë, në kodin që secili prej tyre ka prej fillimit të spektaklit, publiku nga Kosova dhe Shqipëria do të votojë për të preferuarit nga të gjithë numrat celularë. Por faza përzgjedhëse nuk do të mbarojë këtu. Tre më të votuarit do të hyjnë sërish në televotim dhe votat do t’u shtohen atyre që kanë marrë nga televotimi i parë. Vetëm njërit do t’i përmbushet ëndrra. Do të shpallet fitues i “Albanian’s Got Talent” dhe do të fitojë çmimin prej 20 mijë eurosh. Ndërkohë, suksesi për të do të vazhdojë edhe tej natës finale.