Astma, Kosova: Njohje me shenjat e para për minimizim të problemeve
Tiranë- I pranishëm në konferencën shkencore Është koha të kontrolloni astmën tuaj, ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, theksoi rëndësinë që ka evidentimi sa më i hershëm i sëmundjeve kronike, të cilat dëmtojnë cilësinë e jetës së pacientëve dhe ndikojnë në shkurtimin e jetës së tyre.
Astma, që po prek gjithmonë e më shumë njerëz, ka pjesën e saj genetike, por dhe faktorët ambientalë që ndikojnë në rëndimin apo lehtësimin e sëmundjes. …duke qenë se kjo është një sëmundje kronike, bashkë me shumë të tjera, kjo prish cilësinë e jetës së pacientit dhe puna e përbashkët që do të bëjmë në këtë drejtim, do të ndikojë në ndalimin e kësaj rruge të papëlqyeshme për personin që e ka këtë sëmundje.
Kosova vuri theksin edhe tek rëndësia që ka gjithashtu mjeku i familjes në diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundje.
Evidentimi, njohja e familjarëve, apo pacientëve me shenjat e para të kësaj sëmundje, është ajo që kemi në dorë për ti dhënë kësaj patologjie ndihmesën për të minimizuar problemet e pacientëve, tha Kosova.
Ai vuri në dukje se qeveria ka rimbursuar pompa apo preparate për këta të sëmurë, duke theksuar se bashkëpunimi ynë i përbashkët do të bëjë që këta pacientë të kenë trajtime dhe mjekime bashkëkohore, apo që një person me astmë në Shqipëri të ketë atë trajtim që ka çdo qytetar në Bashkimin Evropian.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rendit astmën në vendin e 6, duke u bërë kështu një barrë për individin, për familjen dhe ekonominë e vendit. Astma alergjike është forma më e zakonshme.