Atentat me një të vrarë në Rinas, Policia kontroll për kapjen e autorëve

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë e ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë një person dhe një tjetër i plagosur.
Policia njofton se rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas.
Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.
Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
/e.i/r.e/a.f/