Atentat në Shkodër – Dy viktima dhe dy të plagosur afër Bashkisë, shënjestrohet pjesëtari i grupit kriminal. Arrestohet autori

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Shkodër mëngjesin e kësaj të hëne (8 shtator), ku dy persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë janë plagosur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 8:50 pranë një lokali afër Bashkisë së Shkodrës, në lagjen “Qemal Stafa”, ndërsa viktima mbetën Armando Pali, ish-këshilltar i Bashkisë dhe 31-vjeçari Liridon K. Viktima e dytë nuk i mbijetoi dot plagëve pas transportit në spital. Ai raportohet se ishte bodigardi i Erogen Vasos, i cili mbeti i plagosur në vendngjarje. Një plagë të lehtë në kraharor mori edhe kamerierja e lokalit.
“Një ngjarje kriminale që duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit ka tronditur zemrën e qytetit. Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla,” reagoi në rrjetet sociale kryebashkiaku i qytetit, Benet Beci.
Dyshohet që shënjestër e sulmit të sotëm ishte 43-vjeçari Erogen Vaso. Biznesmeni ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve, ndërsa më herët ka shërbyer si anëtar i Këshillit Bashkiak dhe ish-kryetar i PBDNJ-së për Shkodrën.
43-vjeçari gjithashtu rezulton të jetë vëllai i Denis (Brajoviç) Vaso, i arrestuar për vrasjen e Gjon (Ndoji) Boriçit, ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër. Denis (Brajoviç) Vaso u arrestua në shkurt të vitit 2024 në Emiratet e Bashkuara, i shpallur në kërkim në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Ekstradimi i tij në vendin tonë u krye në korrik të këtij viti.
Sipas gazetarit të RTSH-së, Mirsad Rakaj, autori i dyshuar Ragip G. është vënë në pranga nga policia. Ai mësohet se ka hyrë në lokal me kallashnikov dhe ka qëlluar në drejtim të tavolinës ku ndodheshin viktima Armando Pali dhe Erogen Vaso. Më pas është larguar në këmbë nga vendngjarja deri në afërsi të prefekturës, ku ka hipur në një automjet tip BMW. Gjatë tentativës për t’u larguar, automjeti i të dyshuarit është përplasur me një makinë tjetër. Ai u arrestua në afërsi të stacionit të trenit.
Autori i dyshuar rezulton të jetë një person i njohur për policinë, me precedentë penalë. Ai është arrestuar në vitin 2023 me një arsenal armësh i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal.
/rtsh.al/