E Hënë, 2 Nëntor 2026

Atentat shqiptarëve në Athinë, një i vrarë dhe një i plagosur. Mister autorët

Dy shqiptarë u bënë shënjestër e një atentati mafioz në kryeqytetin grek. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:15 të kësaj të diele në Thrakomakedones të Athinës, në kryqëzimin e dy rrugëve Aristotelous dhe Komotini.

Si pasojë e të shtënave, mbeti i vrarë një person, ndërsa tjetri që e shoqëronte u plagos rëndë. Sipas mediave vendase, viktimë ka mbetur 45-vjeçari Irakli Davella, me origjinë nga Saranda, por me shtetësi greke, ndërsa i plagosur është Edi Lolo.

Viktima ishte pronar i një lokali dhe raportohet se kishte marrëdhënie me persona të lidhur me mafian greke, çka mund të ketë çuar në atentatin e kësaj të diele. Nga ana tjetër, i plagosuri kishte mbërritur në Greqi nga Dubai pak ditë më parë.

Paraprakisht, mësohet se personi që humbi jetën mori një plumb në kokë, që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme në vendngjarje, ndërsa i plagosuri u transportua në spital për ndihmë të specializuar mjekësore.

Atentati ndodhi para syve të dhjetëra dëshmitarëve që lëviznin në zonë. Nga informacionet e para, dyshohet se vrasësit u afruan me një motor dhe hapën zjarr nga një distancë e afërt. Pasi kryen krimin, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›