E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat tre anëtarëve të një familjeje

27/07/2009  Vritet Artan Allushi, ndërsa plagosen Kujtim dhe Nertil Allushi. Në kërkim Bashkim Qefalia

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë doganës. S’dihet motivi, dyshohet një sherr i çastit

TIRANE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në kryeqytet, ku si pasojë e përplasjes me armë ka humbur jetën një person dhe dy pjesëtarë të familjes së viktimës kanë mbetur të plagosur rëndë. Krimi ka ndodhur afër Drejtorisë së Doganës Tiranë dhe autor i tij dyshohet se është shtetasi 40-vjeçar Bashkim Qefalia që aktualisht është shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit. Burime nga policia thanë se viktima është 22-vjeçari Artan Allushi, ndërsa dy të plagosurit e tjerë janë pjesëtarët e familjes Nertil dhe Kujtim Allushi(Xhaxhai). Sipas punonjësve të policisë, të cilët kanë kryer veprime hetimore lidhur me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, motivi i vrasjes mendohet të jetë ndonjë sherr i çastit që tre anëtarët e së njëjtës familje, kanë kryer me 40-vjeçarin Qefalia dhe bashkëpunëtorët e tij. Personat që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes i kanë thënë policisë se rreth orës 13:00 kanë vënë re se një automjet tip Furgon që me shpejtësi i ka prerë rrugën një makine tip Benz Mercedes. Pikërisht në këtë moment disa persona kanë zbritur nga furgoni dhe kanë shkëmbyer fjalë fyese me të dëmtuarit. Sherri më pas ka degjeneruar në përplasje fizike, ku në gjaknxehtësi e sipër mendohet se 40-vjeçari Bashkim Qefalia ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të Nertil, Kujtim dhe Artan Allushit. Për këtë të fundit plumbi ka qenë fatal, pasi ja ka prekur trurin. Megjithëse 22-vjeçari është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ai nuk ka mundur t’i rezistojë plagës së marrë në pjesën e kokës. Në të njëjtën kohë në spital janë transportuar edhe dy personat e tjerë të plagosur, ku secili prej tyre ka marrë në trup nga një plumb dhe aktualisht mësohet se janë nën mbikëqyrjen e bluzave të rënda. Ndërkohë që dëshmitarët kanë lajmëruar sallën operative të policisë, punonjësit e së cilës së bashku me një prokuror kanë shkuar menjëherë në vendin, ku kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Grupi hetimor ka fiksuar në vendin e krimit tre gëzhoja që mendohet se i përkasin llojit të pistoletës “TT” dhe që aktualisht ato janë dërguar për ekspertim në laborator. Për të dokumentuar ngjarjen si dhe për të ndërtuar dinamikën e krimit, ekspertët hetimore kanë shoqëruar në polici mbi 15 veta, të cilët kanë dhënë informacione mbi drejtimin e largimit të autorit të krimit dhe identitetin e tij. Aktualisht policia po vazhdon me imtësi “krehjen” e zonës së Laprakës dhe Kamzës, me shpresën se mund të arrestojë autorin Bashkim Qefalia. Ndërkohë që një operacion i gjerë është ndërmarrë edhe për identifikimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë që mendohet se kanë bashkëpunuar me 40-vjeçarin Qefalia.

5 milionë lekë shpërblim

Blutë e kryeqytetin kanë vënë në dispozicion shumën prej 5 milionë lekësh për këdo që ka informacion të vlefshëm lidhur me vendndodhjen apo strehimin e shtetasit Bashkim Qefalia. Drejtuesit e policisë ftojnë çdo qytetar që të telefonojë në numrat 129 dhe 0694111021, ku në të cilët ata të japin informacione për arrestimin e 40-vjeçarit Qefalia, i cili është autor i një vrasjeje dhe dy plagosjeve. Policia garanton se çdo qytetari që do të japë informacione, do i ruhet maksimalisht identiteti i tij. Kjo formë është përdorur edhe në disa krime të tjera, ku shuma më e madhe e vënë në dispozicion ka qenë 250 mijë euro për Fatmir Xhindin.

Viktima e 48-të për këtë vit

Operacion për zbulimin e armës dhe autorëve

TIRANE- Ekzekutimi i 22-vjeçarit Artan Allusha dhe plagosja e dy pjesëtarëve të familjes së tij, ka ngritur në këmbë Drejtorinë e Policisë së qarkut dhe Prokurorinë e Tiranës, pasi krimi i djeshëm ka shënuar viktimën e 48, për sa i përket vrasjeve të vitit 2009. Ekspertët më të mirë të kriminalistikës kanë zbritur në vendin e ngjarjes, ku dhe kanë kryer veprime të shumta hetimore. Një ndër provat që cilësohet e rëndësishme nuk është mundur të zbulohet nga ekspertët. Ajo është arma e krimit për të cilët një numër i madh agjentësh, kanë kontrolluar çdo pusetë që ndodhet në zonën e Laprakës. Në lupën e tyre mësohet të kenë kaluar edhe kazanët e plehrave si dhe kanalizime të ndryshme që ndodhen në zonë. Burimet pranë policisë thanë se kontrolli i tyre është kryer pas dyshimeve se 40-vjeçari Bashkim Qefalia gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, mund ta ketë hedhur armën në një nga këto drejtime. Mirëpo deri tani rezultatet e policisë kanë qenë negative. Anëtarë pranë grupit hetimor thanë se nga deklarimet e personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes është mësuar se autori i krimit, ku mundur të largohet në drejtim të shinave të trenit, të cilat ndodhen në aksin rrugor Laprakë-Kamëz. Hetimet e kësaj ngjarjeje janë shtrirë edhe në banesën e personit të kërkuar, ku policia ka kryer një kontroll të imtësishëm dhe më pas ka marrë në pyetje anëtarët e familjes së Bashkim Qefalisë. Para grupit hetimor ata kanë pohuar se nuk kishin asnjë informacion konkret mbi vendndodhjen e të afërmit të tyre. Mësohet se agjentët e policisë kanë marrë adresat e disa kushërinjve të familjes Qefalia, pasi mendohet se 40-vjeçari që ekzekutoi Artan Allushin mund të fshihet aty. Ndërkohë që tepër e rëndë situata ka qenë në familjen Allusha, e cila nga krimi i djeshëm humbi djalin 22-vjeçar dhe vazhdon të ketë të plagosur dy anëtarët e tjerë. Aktualisht grupi hetimor që është ngritur për këtë çështje po punon maksimalisht për arrestimin e Qefalisë dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ndërkohë Prokuroria nga mundur të kualifikojë akuzën, e cila është “Vrasje me dashje”, “Plagosje e rëndë me dashje” si dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›