Atentati, Berisha: Të dorëhiqet Koçiu, të hënën nisim protestat para kryeministrisë

Një ditë pas atentatit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë si përgjegjëse për ngjarjen e rëndë që ndodhi pranë aeroportit të Rinasit. Për të mbështetur këtë akuzë, Berisha vuri në dukje se zona ku ndodhi atentati është një prej zonave që, sipas protokolleve të sigurisë publike, konsiderohet si vendi më i ruajtur në vend.
“Ata u ekzekutuan, në mendimin më të përhapur, nga bandat e qeverisë që janë të lidhura me nivele shumë të larta të qeverisë, sepse aty është vendi i shtetit, vendi i qeverisë.”
Berisha pretendon se Gilmando Dani dhe personi që mbeti i plagosur në këtë atentat, agjenti i Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani, kanë pasur lidhje me ministra dhe ish-ministra.
“Ky që u plagos ka bërë fushatën e 11 majit (e ka fjalën për Muç Shaljanin apo Sheqerin), ka bërë fushatën e Ervin Hoxhës, ministër i Brendshëm, dhe më pas në shtator u fut në AMP po nga Ervini, në shkelje të çdo parametri dhe procedure ligjore. Gilmando ka qenë në fushatë si badigard dhe financues për ministrin Gonxhe.”
Kryetari i PD kërkoi edhe dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu, pas kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Do kërkojmë edhe dorëheqjen e menjëhershme të kësaj ministreshës, e cila është me probleme madhore, dhe ne do kërkojmë largimin e saj.”
Ndërkaq, Berisha lajmëroi se ditën e hënë opozita do të nisë “Foltoren” para godinës së Kryeministrisë.
/vizionplus.tv