E Diel, 1 Nëntor 2026

Edicioni i 28-të i panairit të librit, Living sjell tituj të rinj për lexuesit e të gjitha moshave

Prej 28 vitesh panairi i librit hap dyert për të gjithë lexuesit. Autorë, botues, përkthyes bëhen bashkë e një qëllim të vetëm, afrimin e lexuesit me librin.

Mbi 90 shtëpi dhe ente botuese kanë bërë gati me dhjetëra botime të reja, prezantime të veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj duke e kthyer këtë panair një festë të vërtetë të letërsisë. Në katin e dytë as këtë vit nuk mungon stenda e botimeve “Living” e cila sërish sjell një gamë të gjerë titujsh që përmbushin kërkesat dhe shijet artistike të çdokujt.

“Kemi sjellë rreth 30 tituj të rinj. Ndër ta kemi përfshirë shumë letërsi klasike dhe vepra të autorëve shqiptarë, që është një risi për ne, pasi vitet e kaluara ishim më shumë me emra të huaj. Nuk kemi lënë pas dore as misterin e thrillerin, këto janë zhanre shumë të preferuara, sidomos nga të rinjtë. Gjithashtu, kemi tituj të rinj për fëmijë, pra vizitorët mund të gjejnë libra si për të rinjtë ashtu edhe për fëmijët.”, tha Pranvera Palushi, përkthyese Botimet Living.

Nxënësit e shkollave dhe të moshuarit ishin të parët që iu drejtuan panairit. Një pjesë e të cilëve vijojnë të mbeten lexues besnik, e që nuk mungojnë në asnjë edicion të eventit më të madh dedikuar letërsisë.

“Jam shumë e lumtur për këtë panair, sepse mendoj që duhet të bëjmë më shpesh aktivitete të tilla për librin, në mënyrë që të rinjtë dhe të tjerët të zhvillojnë sa më shumë kulturën e të lexuarit. Leximi është diçka shpirtërore, dhe është e mrekullueshme kur je në kontakt me librat.” Blej librat e bukur edhe sikur të mos i lexosh menjëherë, janë pasuria më e madhe dhe më e bukur që mund të kesh. Fatkeqësisht, interneti e ka zbehur pak këtë dashuri, sepse njerëzit mendojnë se lexojnë në internet, por atje shpesh nuk gjejnë atë që duhet, ndoshta gjejnë gjëra që nuk u duhen.”, nxënësit.

Nga ana tjetër organizatorët theksuan rëndësinë e promovimit të leximit në kohët moderne, e mbi të gjitha u ndalën në problematikat dhe vështirësitë që po hasin prej vitesh.

“Për fat të keq, nuk është gjithçka e lehtë sot. Kemi probleme të mëdha me punën rreth librit, sidomos me piraterinë, për të cilën prej shumë e shumë vitesh askush nuk ka marrë masa serioze. Askush nuk na ka dëgjuar dhe kjo situatë është e vështirë. Kjo ndodh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në Maqedoni kemi raste të shumta“, shprehet Petrit Ymeri, kryetar i shoqates së botuesve.

Dyerve të Pallatit të Kongreseve do të jenë të hapura deri më datë 16 nëntor, dhe përgjatë këtyre ditëve përveç uljeve, nuk do të mungojnë as tryezat e diskutimit e deri tek ndarja e çmimeve.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›