Athina ende beson për dëmshpërblim nga Gjermania
Athina zyrtare ende beson se do të marrë dëmshpërblimet gjermane që nga Lufta e Dytë Botërore, e ndërsa Ministria e Jashtme greke po shqyrton mundësitë nëse mund të ritaktivizohen kërkesat e tilla ndaj Gjermanisë.
Sipas mediave greke në ministrinë greke të Financave është hartuar një raport sekret prej 80 faqesh, ku bëhet fjalë për krimet e bëra në kohën e nazizmit.
“Raporti po vlerësohet tani nga juristët”, njoftoi ministri i Jashtëm Dimitris Avramopoulos.
Raporti duket se konfirmon se Gjermania pas një marrëveshjeje për dëmshpërblim të nënshkruar në vitin 1960 u ka dhënë viktimave të terrorit nazist, 115 milionë marka gjermane. Greqia i referohet një marrëveshjeje të nënshkruar në Londër në vitin 1953, sipas së cilës pagesat për dëmet e luftës shtyhen për periudhën pas nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore.
Historianët mendojnë se kërkesat greke janë të arsyeshme e ndërsa Berlini zyrtar ka theksuar se grekët më mirë duhet të shohin reformat.
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble thotë se këto kërkesa nuk kanë ndonjë shans.
Sipas tij, pala greke në këtë mënyrë po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga reformat që duhen bërë.
Opozita greke është shumë e qartë në kërkesat e saj duke bërë presion, ndërkohë që edhe në mediat greke ka kërkesa të shumta për dëmshpërblim. Gazeta “Ta Nea” shkruan për një “luftë të ftohtë” mes Gjermanisë dhe Greqisë.