E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atleti amerikan Tajson Gej, pozitiv në testin e antidopingut

Rekordmeni amerikan i garës së 100 metrave, Tajson Gej rezulton pozitiv ndaj testeve antidoping, duke tronditur botën e sportit të atletikës. Sipas agjencisë së lajmeve, Asociated Press, 30-vjeçari ra në rrjetën e agjencisë amerikane antidoping, duke rezultuar pozitiv ndaj një substance të ndaluar, emri i së cilës nuk bëhet ende i ditur.
Edhe pse Gej kërkoi menjëherë testin B, duke shprehur bindjen se është i pastër, ai konfirmon mungesën në botërorin e atletikës, që starton muajin e ardhshëm në qytetin e Moskës. Vitet e fundit Tajson Gej ka vuajtur nga probleme të shumta fizike, por gjatë vitit 2013 ai u shfaq sërish në nivele të larta, duke fituar edhe garën e 100 dhe 200 metrave në kampionatin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2007, Gej u shpall kampion bote në garën e 100 metrave me kohën 9 sekonda e 75 të qindtat, duke barazuar rekordin e të gjitha kohërave në mitingun e Ioëa-s.
Deri në shfaqjen e rekordmenit dhe kampionit në fuqi të botës, Usain Bolt, Tajson Gej ishte mbreti i garave të shpejtësisë, por duket se emri i tij do të ndjekë fatin e sportistëve të dopuar, duke lënë shije të keqe jo vetëm tek amerikanët. (E.Ilnica/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›