Au revoir Sarko. Presidenti i ri bëhet qull nga shiu (FOTO)
Francois Hollande u betua sot si presidenti i parë socialist në Francë pas 17 vitesh. Një ceremoni jo shumë pompoze u organizua me këtë rast. Hollande mbërriti me një makinë me çati të hapur.
Por gjatë udhëtimit drejt Elysee-së ra shi, ndërkohë që presidenti i ri qëndronte stoik. Në fund ishte lagur e bërë qull.
Ndërkohë që menjëherë vizitën e parë do e zhvillojë në Berlin, ku do bisedojë me homologen Angela Merkel, që është në hall me rezultatin zgjedhor në NRW, landin më të madh në Gjermani. Merkel ka humbur në këtë land dhe perspektiva e saj është e zymtë.
Hollande u prit në zyrën e tij nga Sarkozy, që për 40 minuta bisedoi me të kokë më kokë. Liderë të besimeve fetare morën pjesë në ceremoninë që kulmoi me shpalljen president të Hollande nga kreu i Gjykatës Kushtetuese, që lexoi rezultatet e zgjedhjeve.
Sarkozy u largua dorë për dore me Carla Bruni-n. Stafi i pranishëm në momentin e largimit, e duartrokiti fort.
Hollande do e japë konferencën e parë për shtyp si president sot në mbrëmje në Berlin.














