Auditi zbulon vjedhje të konsiderueshme parash në Postën Shqiptare të Durrësit, shkarkohet drejtoresha e degës

Një rast i një vjedhje parash është zbuluar në degën e Postës Shqiptare në Durrës, ku dyshohet se është përvetësuar një shumë e konsiderueshme.
Rasti është evidentuar pas një auditimi të kryer nga strukturat përgjegjëse të Postës Shqiptare, gjatë të cilit është konstatuar mungesa e një sasie të madhe të ardhurash të krijuara nga pagesa të ndryshme të kryera në këtë degë.
Menjëherë pas zbulimit të parregullsive, Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare ka marrë masa administrative, duke shkarkuar nga detyra drejtoreshën e degës së Postës në Durrës, Elisabeta Mataj, ndërsa shefja e financës ka paraqitur dorëheqjen.
Po kryhen verifikime për të përcaktuar vlerën e saktë të dëmit ekonomik dhe përgjegjësit e mundshëm.
Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Deklarata e Postës Shqiptare
Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.
Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.
Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.
Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.
Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit.
/rtsh.al/