E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit dhe ICITAP konfirmojnë vazhdimësinë e partneritetit strategjik

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka pritur në një takim zyrtar përfaqësuesen e Programit ICITAP për Evropën dhe Azinë, Alexzandria Burns, si dhe drejtuesin e këtij programi në Shqipëri, Richard Deasy. Bashkëbisedimi u fokusua në analizën e bashkëpunimit të deritanishëm dhe në projektet e ardhshme të zhvillimit institucional.

Gjatë takimit, palët morën në analizë historikun e marrëdhënieve dypalëshe, duke vlerësuar “partneriteti i shkëlqyer mbi 30-vjeçar ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Programit ICITAP”. Sipas vlerësimit zyrtar, kjo marrëdhënie ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e integritetit dhe përmirësimin e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm, Skender Hita, shprehu mirënjohjen për ndihmën e gjithanshme të ofruar përmes asistencës teknike, trajnimeve dhe këshillimit strategjik, duke e cilësuar këtë mbështetje si “një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të institucionit.”

Më tej, Hita bëri me dije se thellimi i marrëdhënieve me programin ICITAP dhe me Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara mbetet një “prioritet strategjik i Policisë së Shtetit, me synim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e përvojave më të mira ndërkombëtare, përdorimin e teknologjive moderne dhe rritjen e efektivitetit në parandalimin dhe goditjen e krimit.”

Në përfundim të takimit, palët riafirmuan angazhimin e përbashkët për të vijuar investimin në rritjen e sigurisë publike dhe sundimit të ligjit. Ky bashkëpunim i zgjeruar synon arritjen e objektivit të përbashkët për “ndërtimin e një Policie Shteti gjithnjë e më moderne, profesionale dhe më pranë qytetarëve.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›