Auditimi i KLSH, Spahiu: 4530 barna të autorizuara për tregtim

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik zhvilloi sot mbledhjen e radhës, gjatë së cilës u vijua me dëgjesa me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si edhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në lidhje me Auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit me temë “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri”, të zhvilluar për periudhën 2020-2023.
Të ftuar në mbledhjen e komisionit për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve dhe informuar në lidhje me masat e mara për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga KLSH ishin Eugena Tomini, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Erjon Spahiu, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, përfaqësues nga KLSH, etj.
Fillimisht përfaqësuesit e MSHMS dhe AKBPM iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve në lidhje me numrin real të barnave të autorizuara dhe testuara fizikisht në laborator, ndërveprimin e Agjencisë me EMA dhe FDA, disponueshmërinë e barnave, besueshmërinë e tregut farmaceutik, trajnimet e latoratorit, testimin laboratorik të barnave të importuara me autorizim të posaçëm, mungesën e barnave të alternativës së parë në listën e rimbursimit, projekligjin e ri për produktet për përdorim mjekësor, mungesën e pajisjeve mjekësore, gjetjet e KLSH gjatë auditimit në Spitalin Onkologjik, etj.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Erjon Spahiu tha se “gjatë vitit 2024 janë autorizuar për tregtim 321 barna dhe janë rinovuar 505 barna. Gjatë vitit 2025 janë autorizuar për tregtim 297 barna dhe janë rinovuar 512 autorizime tregtimi”.
“Ndërsa gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2026 janë autorizuar për tregtim 191 barna dhe janë rinovuar 407 barna të autorizuara për tregtim. Aktualisht janë 4530 barna të autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë”, tha Spahiu.
I pyetur se sa barna janë tërhequr ose kufizuar nga EMA ose FDA në Shqipëri, Spahiu tha se “në aspektin rregullator gjatë dy viteve të fundit janë revokuar 121 autorizime për tregtim me kërkesë të mbajtësit të autorizimit për tregtim për arsye tregtare. Janë pezulluar shtatë autorizime për tregtim për një periudhë dyvjeçare pasi nuk kanë plotësuar nevojat e listës së miratuar të barnave të shërbimit spitalor publik dhe është revokuar një autorizim për tregtim alternativë e parë e listës së rimbursimit pasi nuk ka qenë e disponueshme në treg”.
Në përfundim të dëgjesës kryetari i nënkomisionit, Igli Cara informoi se në mbledhjen e radhës nënkomisioni do të paraqesë rekomandimet përkatëse.
Pika e dytë e rendit të ditës së ditës ishte caktimi i dy auditimeve të performancës të cilat do të merren në shqyrtim nga nënkomisioni.
1 nga 6/k.s/r.e/