E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aulon Kalaja: Do të ishte në nderin e tij, Veliaj duhet të jepte dorëheqjen

I ftuar në emisionin “3D” të drejtuar nga Alban Dudushi, gazetari Aulon Kalaja komentoi zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në raport me akuzat dhe situatën brenda Partisë Socialiste.

“Përtej debatit që bëjmë ne, do ishte në nder të tij që Veliaj të jepte dorëheqjen sot,” deklaroi Kalaja, duke shtuar se nëse kjo do të ndodhte, “nuk do ishte vënë në lëvizje as Gjykata Kushtetuese, as Edi Rama, as Këshilli Bashkiak.”

Sipas tij, Veliaj po mban postin për të mbrojtur veten dhe për të ndikuar në procesin gjyqësor.

“Ai do që të shkojë në një tjetër valencë edhe në gjykim,” tha Kalaja.

Gazetari Aulon Kalaja tha se i kishte sugjeruar Erion Veliajt të padiste Edi Ramën, duke qenë se e njeh mirë dhe ka pasur marrëdhënie të afërta me të.

Por sikurse tha ai, në vend që të ndërmerrte veprime ligjore ndaj Ramës, Veliaj kishte zgjedhur ta padiste atë vetë, duke e vënë përballë një proces gjyqësor për të cilin ka marrë edhe një fletëthirrje dhe pritet të paraqitet në gjyq të enjten.

Duke iu referuar deklaratave të Sali Berishës, Kalaja u shpreh se nuk ndan të njëjtin mendim për qëndrimin e Veliajt ndaj Ramës.

“Për mua, ndryshe nga ajo që thotë Sali Berisha, Veliaj nuk ka dhënë sinjale, sepse ai nuk ka belbëzuar, jo më të flasë kundër Edi Ramës.”

Ai shtoi se Veliaj nuk është një figurë e zakonshme politike, sepse sikurse ai deklaroi se “Gabojmë rëndë nëse e krahasojmë me Saimir Tahirin apo Arben Ahmetajn. Veliaj ishte një projekt politik dhe një investim shumë i madh.”

Aulon Kalaja theksoi se Erion Veliaj duhet të dalë publikisht dhe të sqarojë marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama.

“Dy rrugë ka për mua. Ose ai nuk do flasë sepse është i kërcënuar, ose e ka ruajtur për momentin e fundit sepse po negocion.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›