Debat i ashpër në “3D” në RTSH për mandatin e Veliajt. Beqiri deklaron se vendimet për shkarkimin janë “antikushtetues”, Alibali pretendon “ligjshmëri”

Debati politik-ligjor mbi shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shënuar një përplasje mes juristit Neritan Alibali dhe avokatit Idajet Beqiri në emisionin “3D” në RTSH, ndërsa çështja shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese (GJK).
Argumenti i Idajet Beqirit
Avokati Idajet Beqiri argumentoi se e gjithë procedura e shkarkimit është antikushtetuese. Sipas tij, masa e sigurisë ndaj Veliajt është e arsyeshme, duke e bërë mungesën e tij me arsye.
“Procesi i shkarkimit të kryetarit të bashkisë është antikushtetues. Qoftë vendimi këshillit bashkiak, qoftë vendimi i qeverisë, qoftë dekreti për zgjedhjet i Presidentit janë në shkelje të ligjit,” theksoi Beqiri. Ai shtoi se nëse GJK “ligjëron këtë, do të ishte shumë flagrante,” pasi ligji duhet zbatuar ashtu siç është.
Kundërpërgjigjja e Alibalit
Në anën tjetër, juristi Neritan Alibali mbrojti ligjshmërinë e veprimeve të Qeverisë dhe Këshillit Bashkiak.
“Vendimet e Këshillit Bashkiak dhe të Qeverisë janë ligjore,” u shpreh Alibali.
Por, ai nënvizoi se kur një palë kundërshton vendimet në Kushtetuese, edhe dekreti për zgjedhjet në Tiranë pezullohet.
Duke iu referuar logjikës së mandatit, Alibali sqaroi se pushteti lokal nuk mund të ketë vakum, prandaj është futur “logjika e 3 muajve.”
Megjithatë, ai pranoi se vendimi i Qeverisë nuk ka dhënë efektin për të cilin u mor, pasi është pezulluar nga GJK, duke konfirmuar se “Veliaj vijon ende të jetë kryetar bashkie i Tiranës.”
/rtsh.al/