E Diel, 1 Nëntor 2026

Aulon Kalaja reagon pas ankimit të Erion Veliajt: “Përballë do më kesh!”

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, ka reaguar pasi, sipas tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ku Kalaja ishte shpallur i pafajshëm në një proces gjyqësor për shpifje.

Në reagimin e tij, Kalaja thotë se Veliaj e kishte paditur për shpifje, ndërsa procesi gjyqësor kishte nisur në tetor 2025 dhe kishte përfunduar në maj 2026, pas 17 seancash.

Kalaja e cilëson çështjen si një “SLAPP case”, duke pretenduar se padia synon intimidimin, mbajtjen nën presion dhe mbylljen e gojës së tij.

“Si ka mundësi që Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kur ka 1000 halle për korrupsion dhe prej kohësh dergjet burgjeve, merret me mua, se gjoja kam shpifur, kur ka një vendim gjykate që vërteton se unë nuk kam shpifur dhe jam i pafajshëm”, shkruan Kalaja.

Ai shprehet se nuk do të tërhiqet nga deklaratat e tij, pavarësisht vijimit të procesit gjyqësor.

“Unë e di se ku e ka hallin dhe përse kërkon të mbajë ndezur këtë ‘konflikt gjyqësor’, por nuk mund ta ndihmoj dot! Një gjë është e sigurt, që unë nuk tërhiqem nga asnjë deklaratë. Përballë do më kesh!”, përfundon reagimin e tij kryetari i PD-së Krujë, Aulon Kalaja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›