E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aurela Gaçe në LosAnxhelos për këngëne Eurovizionit

TIRANE- Përfaqësuesja e sivjetshme e Shqipërisë në Eurosong, Aurela Gaçe do të udhëtojë në Los Anxhelos për të regjistruar versionin e ri të këngës së saj "Kënga ime". Sipas Esctoday.com, webi i Eurosong, Aurela ka vendosur që t'i lërë të presin projektet e tjera muzikore të saj dhe në muajt në vazhdim ajo do të merret vetëm me përgatitjet për Eurovision Song Contest.
Esctoday.com ka pasur mundësinë të flasë me Aurela Gaçen pak përpara se ajo të nisej për në Los Anxhelos. Pyetjes se si po shkojnë përgatitjet për në Eurovision, ajo i është përgjigjur: "Ne kemi punuar shumë dhe çdo gjë ka shkuar mirë deri tani. Unë dhe ekipi im po shkojmë në Los Anxhelos ku do të punojmë për versionin e ri të këngës 'Kënga ime'. Do ta regjistrojmë në Los Angeles në një studio muzikore mjaft të njohur versionin e ri të këngës me të cilën do të prezantohem në Eurovision". Sipas Gaçes, projektet e tjera artistike të saj do të shtyhen për më vonë. Sa i takon një videoje të re të Gaçes që shfaqet në YouTube, ajo ka thënë se bëhet fjalë për këngën "CaSh", e cila supozohej të shfaqej në janar. "Unë po bashkëpunoj me këngëtarin e njohur shqiptar të Hip-Hop MC Kresha. Kënga 'CaSh' do të jetë singli i parë nga albumi im i ardhshëm, por kam vendosur ta publikoj këtë këngë. Videoja dhe albumi i ri do të dalin pas Eurovizionit, sepse aktualisht do të fokusohem tek 'Kënga ime' dhe për Eurosong deri në muajin maj", - ka thënë Aurela. Këngëtarja Aurela Gaçe është fituesja e çmimit të parë e edicionit të 49-të të Festivalit të Këngës në RTSH, kënga e së cilës do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin e këngës "Eurovizion". Kënga me titull "Kënga ime", është shkruar nga Sokol Marsi, ndërsa kompozimi dhe orkestrimi është realizuar nga Shpëtim Saraçi. Gaçe pas tërheqjes së çmimit u shpreh se edhe pse kishte hequr dorë nga festivalet, falenderoi kompozitorin Saraçi që i ofroi këngën dhe i dha këtë mundësi. Aurela Gaçe është këngëtarja e 8-të që shkon në Festivalin e Këngës "Eurovizion" pas Anjeza Shahinit, Ledina Çelos, Luis Ejllit, Frederik Ndocit, Olta Bokës, Kejsi Tolës dhe Juliana Pashës. "Arsyeja e parë që unë mora pjesë në festival është muzika e bukur që krijoi Shpëtimi. Në mëdyshjen time për të marrë apo jo pjesë në festival fitoi melodia e krijuar nga Shpëtimi, i cili këmbënguli fort që unë të merrja pjesë në festival. Unë nuk mund ta lija atë këngë të bukur të më ikte nga duart dhe më pas sigurisht që e dëshiroja vendin e parë, më ngacmonte dëshira për të provuar edhe veten", -ka thënë ajo për Gazetën pak kohë më parë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›