E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Komisioni hetimor tërhiqet nga tabulatet e gazetarëve

TIRANE- Komisioni hetimor parlamentar për trazirat e 21 janarit është tërhequr nga kërkesa për marrjen e tabulateve telefonike të katër gazetarëve.

Kreu i komisionit, Eduard Halimi bëri dje të ditur se “për shkak se kërkesa e tabulateve të gazetarëve shkaktoi një sensivitet të shoqërisë dhe faktorit ndërkombëtar, ne do të revokojmë kërkesën ndaj kompanive celulare për tabulatet e gazetarëve. Ne nuk do të tërhiqemi nga hetimi por me që kjo ishte një çështje me sensibilitet të lartë po e anulojmë”, - deklaroi Halimi.

Ndërkohë në dëshminë e dhënë dje para komisionit hetimor parlamentar, komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi ka deklaruar se gjatë sulmeve të dhunshme ndaj godinës së Kryeministrisë në datës 21 janar, në asnjë rast nuk është qëlluar me armë zjarri mbi turmën. Sipas tij gjatë gjithë kohës është qëlluar në ajër, fillimisht me fishekë manovër dhe mandej me fishekë luftarakë.

Po dje me anë të një njoftimi për shtyp, komisioni hetimor parlamentar, ka bërë të ditur se seanca dëgjimore e planifikuar për sot me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj nuk do të zhvillohet. Ajo është shtyrë për një datë të pacaktuar. Arsyeja e anulimit të kësaj seancë mendohet se ka lidhje me demonstratën që opozita do të zhvillojë sot.

DËSHMIA NË KOMISION E KREUT TE GARDËS
ORA 20:13 (3 janar)- Rreth orës 19:30 është thirrur të dëshmojë në komisionin hetimor parlamentar të mazhoranëc, Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Pasi ka sqaruar se forcat e gardës i marrin urdhërat nga Ministria e Brendshme dhe bashkëpunojnë me policinë e shtetit, Prendi tha se në 21 Janar kishte mobilizim të një sigurie të lartë.
“Në 21 Janar të gjitha objektet e rëndësisë së vecantë kanë pasur situatë të përforcuar, goditja kryesore ka qënë kryeministria. Unë kam prirë drejtimin në mbrojtjen e objektit. Ka qenë shefi i shtabit të gardës në komandë dhe unë”, tha ai.

Duke deklaruar se gjatë kësaj demonstrate janë plagosur rreth 81 efektiva të gardës, Prendi sqaroi se hapja e zjarrit është bërë në momentin më ekstrem, kur demonstruesit kanë kaluar portën e kryeministrisë, duke cënuar territorin e këtij institucioni. “Brenda godinës është perimetri i sigurisë së lartë. Përdorëm të gjitha mjetet edhe duke rrezikuar trupat e gardës për të mos krijuar problematikë me qytetarët. Zgjidhja e zjarrit ishte e fundit që përdorëm. Kalimi i rrethimit është rasti më ekstrem dhe aty vepruam në bazë të ligjit”,- tha Prendi.

Prendi sqaroi më tej se si kanë operuar atë ditë forcat e gardës. Sipas tij “Për rreth 2 orë kemi marrë goditje të vazhdueshme deri me bomba helmuese, goditje me të gjitha mjetet kemi pasur. Gardistët vetëm janë mjekuar dhe janë kthyer në detyrë, në të gjitha rastet. Edhe kur është kërkuar shkatërrimi i gardhit rrethues garda ka përdorur vetëm shkop gome, u janë bërë thirrje që kjo është një zonë e vecantë dhe e rrezikshme, një zonë e rëndësisë së vecantë. Haja e zjarrit vetëm kur turma hyri brenda. Zjarri ka qënë në ajër me fyshek manovër dhe me pas zjarr në ajër me fishekë të vecantë”,- sqaroi më tej Kreu i gardës.

Sipas tij forcat e Gardës janë sulmuar rëndë nga demonstruesit por shton se “Nuk kemi pasur asnjë të vdekur dhe kjo për shkak të profesionalizmit, pasi goditjet kanë qënë tepër të ashpra, kemi pasur efektiva të plagosur shumë rëndë”,- tha Prendi.
(s.g/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›