E Martë, 3 Nëntor 2026

Australia cakton 14 tetorin për mbajtjen e referendumit historik të indigjenëve

Më 14 tetor australianët do të votojnë në referendumin historik për të vendosur nëse do të miratojnë një Zë Indigjen në Parlament.

Nëse miratohet, votimi do të njihte aborigjenët dhe banorët e ishullit Torres Strait në kushtetutën e vendit dhe do të krijonte një organ të përhershëm për ta, për të dhënë këshilla mbi ligjet.

Vendi nuk ka pasur një referendum të suksesshëm në gati 50 vjet dhe ky propozim është objekt i një debati të ashpër në Australi.

Që të ketë sukses, shumica e australianëve duhet të votojnë po. Gjithashtu duhet të ketë mbështetje të shumicës në të paktën katër nga gjashtë shtetet e Australisë.

Përbërja, funksionet dhe kompetencat e organit (këshillat e të cilit nuk do të ishin të detyrueshme), më pas do të hartohen dhe debatohen nga parlamenti.

Duke shpallur datën e votimit në një tubim në Adelaide, kryeministri Anthony Albanese e quajti votimin “një shans që ndodh një herë në brez për të bashkuar vendin dhe për ta ndryshuar atë për mirë”.

“Zëri do të ishte “një komitet i australianëve indigjenë, i zgjedhur nga australianët indigjenë, duke i dhënë këshilla qeverisë në mënyrë që të mund të marrin një rezultat më të mirë për Australianët Indigjenë. Ju kërkohet… t’i thoni “po” një ideje, koha e së cilës ka ardhur – t’i thoni po një ftese që vjen drejtpërdrejt nga vetë njerëzit aborigjenë dhe të ishullit të Torres Strait”, tha ai.

Australianët indigjenë përballen me nivele disproporcionale të disavantazhit në të gjithë shoqërinë – diçka që Australia ka luftuar për ta trajtuar prej kohësh.

Vetëm 8 nga 44 referendumet e Australisë kanë qenë të suksesshme, më i fundit në vitin 1977 dhe asnjë nuk ka kaluar pa mbështetjen dypartiake.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›