E Hënë, 2 Nëntor 2026

Australia do të ndalojë përdorimin e YouTube dhe medieve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç

Qeveria australiane ka vendosur të përfshijë YouTube-in në listën e platformave të mediave sociale që do t’u ndalohet përdorimi nga fëmijët nën 16 vjeç, duke u tërhequr nga një premtim i mëparshëm për ta përjashtuar atë. Vendimi erdhi nga Partia Laburiste dhe pritet të hyjë në fuqi në dhjetor 2025.

Ndalimi detyron platformat si YouTube, Facebook, Instagram, TikTok, Snapchat dhe X të parandalojnë krijimin e llogarive nga persona nën moshën 16 vjeç, përndryshe rrezikojnë gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 32 milionë USD).

Qeveria e justifikoi vendimin me rezultatet e një sondazhi nga Komisioni i Sigurisë Elektronike, i cili zbuloi se 37% e fëmijëve të anketuar kishin parë përmbajtje të dëmshme në YouTube, si ide urrejtjeje, sfida të rrezikshme, video dhune dhe përmbajtje që promovon zakone të pashëndetshme.

YouTube e quajti vendimin një “përmbysje të angazhimit të qartë publik” nga qeveria për ta trajtuar platformën si një mjet edukativ, dhe njoftoi se do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, YouTube Kids nuk përfshihet në ndalim, pasi nuk u lejon përdoruesve të ngarkojnë apo komentojnë video.

“Ne do të shqyrtojmë hapat e mëtejshëm dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me qeverinë”, tha një zëdhënës i YouTube-t, duke mos dhënë asnjë koment mbi statusin e kërcënimeve ligjore të raportuara.

Ministrja e Komunikacionit, Anika Wells, krahasoi ndalimin me mbrojtjen e fëmijëve që mësojnë të notojnë në ujëra të rrezikshme, duke theksuar se qeveria nuk do të frikësohet nga kërcënimet ligjore, pasi kjo është një çështje e mirëqenies së fëmijëve australianë.

“Është si të përpiqesh t’u mësosh fëmijëve të notojnë në oqean të hapur, me (rrymat e forta) dhe peshkaqenë, krahasuar me pishinën e këshillit vendor. Nuk mund ta kontrollojmë oqeanin, por mund t’i kontrollojmë peshkaqenët, dhe kjo është arsyeja pse nuk do të frikësohem nga kërcënimet ligjore kur kjo është një luftë e vërtetë për mirëqenien e fëmijëve australianë“, tha ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›