Austriakët, takim rajonal për energjinë në Shqipëri
Sipërmarrësit austriakë shfaqin interes për investime në fushën energjetike në Shqipëri. Një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të turbinave për hidrocentralet, “Global Hydro Energy”, organizoi një seminar me ekspertë nga vendi dhe rajoni për “rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë”. Përfaqësuesi i kompanisë austriake, Thomas Sageder, tha se Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit kanë mundësi të shumta që mund të shfrytëzohen për prodhimin e energjisë. Sektori energjetik ka zgjuar interesin e shumë investitorëve të huaj, për shkak të burimeve të shumta hidrike dhe potencialeve të prodhimit të energjisë alternative që ka vendi. Në kuadrin e zhvillimeve të mëdha që po kalon ekonomia shqiptare, veçanërisht në fushën e energjetikës, fushë e cila është në vëmendje dhe prioritet të veçantë nga investitorët dhe kompanitë austriake si dhe mbështetja e fuqishme e qeverise shqiptare kohët e fundit për zhvillimin dhe ndërtimin në tregun shqiptar, ne ofrojmë sot zërin më të fundit të teknologjisë së përdorur për një efektivitet dhe produksion më të lartë në energji, që ka lidhje me këtë teknologji të prodhuar nga ana e ‘Global Hidro Energy’, tha Sageder. Ai tha se interesat tona në këtë fushë vijnë duke u rritur fuqishëm nëpërmjet investimeve dhe projekteve konkrete, si Ashta, Devolli etj. Avantazhi ynë është përdorimi i teknologjisë së fundit me eficencë të lartë dhe ofertat tona janë vërtet interesante si në kuadrin e cilësisë ashtu dhe në atë të çmimit.