E Diel, 1 Nëntor 2026

Civici: Dalja e Greqisë nga zona euro? Një prej opsioneve

Vetëm disa javë më parë dukej se “viktima” e vetme serioze e krizës financiare në Europë ishte Greqia. Por, mesa duket, situata është kritike edhe në Spanjë, Portugali dhe veçanërisht në Itali. Euro, eurozona, ekonomia dhe bankat e saj po përballen me vështirësi të mëdha. Drejtuesit më të lartë europianë, por dhe ata botërorë janë në përpjekje të ethshme për t’u shpëtuar efekteve negative të krizës së borxheve, që po frenon rritjen ekonomike e po shton papunësinë. Cilat janë zgjidhjet dhe politikat e mundshme për kapërcimin e kësaj situate problematike?

Mbas Greqisë, duket se po shfaqet Italia si një vend me shumë pikëpyetje për zonën euro dhe BE. A është situata financiare dhe ekonomike e Italisë më e rëndë se ajo në Spanjë, Irlandë e Portugali, tre vende europiane tashmë problematike?

Vendimi i fundit i kompanisë vlerësuese Standart and Poor’s për ta ulur notën vlerësuese për Italinë me vlerësimin “për arsye të perspektivave të dobëta në rritjen ekonomike, dobësinë politike të qeverisë Berlusconi” dhe kapaciteti i ulët i shtetit për t’iu përgjigjur në mënyrë decisive sfidave makroekonomike” është sinjali më i qartë për situatën e Italisë, vendi dhe ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës. Megjithëse Parlamenti Italian votoi së fundi një plan shumë të ashpër reduktimesh buxhetore në masën 54.2 miliard euro dhe u angazhua që të garantonte ekuilibrin buxhetor më 2013, masa kolosale e borxhit publik italian, që arrin në masën 120% të PBB, duke qenë një nga borxhet më të mëdha të botës për vende të veçanta, bëri që Standard and Poor’s ta ulte vlerësimin e Italisë nga “A+” në “A”, duke e parashikuar si “negative” tendencën perspektive. Në këtë këndvështrim, Italia qëndron në kategorinë e emetuesve solidë të bonove të thesarit, por e rrezikuar nga ndryshime negative në situatën e saj ekonomike e financiare, të cilat krijojnë mjaft pikëpyetje për realizimin e objektivave të qeverisë italiane.

Vërtet që borxhi Italian arrin në 1 900 miliard euro, ose 120% të PBB, por ekspertët dhe analistët e çështjeve të borxheve sovrane nuk i shqetëson thjesht kjo shifër, sepse maturiteti i tij është afatgjatë: mesatarisht 7 vjet, çka e mbron këtë borxh nga efektet imediate të krizës aktuale. Problemi i vërtetë qëndron te rritja e dobët ekonomike e Italisë. Për vitin 2011, parashikimet e Bankës së Italisë dhe ISTAT-it për rritjen ekonomike variojnë në intervalin 0.7-0.9%, ndërkohë që, sipas revistës The Economist, mesatarja vjetore e kësaj rritjeje për periudhën 2000-2010 me çmime konstante ka qenë vetëm 0.25%, ose nga më të ulëtat në botë. Dhe e gjithë kjo me një nivel papunësie rekord prej 8.4% më 2010, nivel që ndikon akoma më shumë në frenimin e rritjes ekonomike, aq më tepër që mjaft ekspertë mendojnë se Italia ka humbur shumë nga kapacitetet e saj innovative që gjenerojnë zhvillim të shpejtë të brendshëm.

Lajmet për ekonominë botërore po bëhen çdo ditë e më shqetësuese. Një frymë pesimiste për ekonominë dhe financat botërore duket se qarkullon në mjediset e specializuara. Deri ku priten të shkojnë skenarët pesimistë?

Kriza greke, përmasat dhe zgjidhja e së cilës po rezultojnë shumë më të gjera se sa mendoheshin në fillim, ka vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e euros dhe stabilitetin e eurozonës. Por, akoma më shumë se kjo, në raportin e saj të fundit të publikuar në 20 shtator, FMN jo vetëm që parashikon një rritje ekonomike të dobët për ekonomitë kryesore të botës, që në rastin më të mirë është e pamjaftueshme për të ndikuar pozitivisht në uljen e papunësisë dhe zvogëlimin e borxheve publike kolosale. FMN i trembet shumë edhe mundësisë që kriza e borxheve mund të destabilizojë tërë sistemin financiar global. Në terma konkretë, FMN parashikon një rritje ekonomike globale prej 4% më 2011 dhe 2012, ndërkohë që vetëm 3 muaj më parë parashikonte që kjo rritje të ishte 4.3 dhe 4.5%. FMN duket veçanërisht e shqetësuar për vendet e zhvilluara perëndimore. ShBA vlerësohet se do njohë një rritje prej vetëm 1.5 - 1.8%, ndërkohë që “shpata e Demokleut”, recesioni, vazhdon t’i qëndrojë mbi kokë. Akoma më pesimist duket skenari europian: 1.6% rritje ekonomike për 2011-n dhe 1.1% për 2012-n. Shenja më evidente, se kriza e borxheve që ka përfshirë BE-në prek edhe vendin më solid të saj, Gjermaninë që konsiderohet si lokomotiva e ekonomisë europiane, është parashikimi në ulje i rritjes së saj në 2.7% për 2011-n dhe 1.3% për 2012-n, nga 3.2% që ishte parashikimi vetëm disa muaj më parë. Ndryshe nga mendimi sundues i disa muajve më parë, se “vendet me ekonomi emergjente apo zhvillim të shpejtë ishin më të mbrojtur ndaj krizës”, FMN parashikon që edhe rritja ekonomike kineze do pësojë rënie, sidomos për shkak të vështirësive në Europë dhe SHBA. FMN po studion dhe një skenar pesimist, “për të cilin duhet të përpiqen të gjithë që të mos ndodhë”, sipas së cilit shumë nga ekonomitë e fuqishme perëndimore mund të bien në recesion dhe kriza e borxheve sovrane të përhapet në gjithë botën duke “shkaktuar furtuna financiare në zonën euro, ulur shumë rritjen ekonomike në ShBA dhe tërmete financiare në Azi të lidhura me vlerën e aseteve imobiliare”.

Zërat për pamundësinë e Greqisë që të shlyejë borxhet e saj janë shtuar ndjeshëm. Po kështu dhe hezitimet për t’i dhënë borxh të ri asaj. A është reale mundësia që Greqia të dalë nga zona euro, si mundësia e vetme për të shpëtuar Greqinë, por dhe vetë zonën euro?

Me përmasat që ka marrë, vlerësohet se borxhi i Greqisë i tejkalon mundësitë e saj reale për ta shlyer pa bërë reforma drastike e plane shtrëngese buxhetore të jashtëzakonshme. Duket se Greqia do jetë e detyruar të shpallë pamundësinë e pagesave, të paktën riskedulimin thelbësor për një pjesë të borxhit të saj. Fuqia ekonomike dhe kapacitetet fiskale të Greqisë janë ndjeshëm më të vogla se detyrimet e saj në vitet në vazhdim. Në këto raste teoria ekonomike njeh dy lloj zgjidhjesh: e para, zhvleftësimin e monedhës vendase në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria e eksporteve, si dhe të manovrohet me politikën dhe masën monetare në monedhën lokale. Por që të bëjë këtë, Greqia duhet të dalë nga zona euro, gjë që për momentin mbetet një version hipotetik. Një dalje e Greqisë nga zona euro mund të shkaktonte një efekt negative zinxhir që mund të prekte Portugalinë, Spanjën, Italinë etj. E dyta, thithjen e investimeve masive për rinovimin e ekonomisë dhe shërbimeve të saj, duke hyrë në një fazë zhvillimi mjaft cilësore e konkurruese, gjë që gjithashtu duket e vështirë po të kihen parasysh vështirësitë aktuale për likuiditet e investime të bankave, fondeve të investimeve, apo ndalimin që traktati i Lisbonës dhe ai i Maastrichtit i bëjnë transferimeve financiare masive nga vendet më të zhvilluara të BE-së drejt atyre më pak të zhvilluara. Këto janë arsyet përse vendet kryesore të eurozonës, veçanërisht Gjermania dhe Franca, po bëjnë çdo përpjekje të mundshme për ta shpëtuar Greqinë nga situate aktuale. Tashmë, Angela Merkel dhe Nicolas Sarcozy kanë përjashtuar kategorikisht një dalje të Greqisë nga zona euro, si përgjigje ndaj angazhimit të kryeministrit grek Georges Papandreu për të mbajtur çdo angazhim në kuadrin e reformave të jashtëzakonshme shtrënguese buxhetore. Më shumë sesa të shpëtojnë Greqinë, vendet e eurozonës po përpiqen të shpëtojnë euron dhe eurozonën nëpërmjet mbylljes së plagës greke. Ata po përpiqen veçanërisht që ta monetarizojnë sa më shumë borxhin grek, që t’i japin një rol “të jashtëzakonshëm” Bankës Qendrore Europiane në dhënien e “kredive” për vendet anëtare apo realizimin e një politike monetare jo-konvencionale, duke e pastruar sa më shumë tregun financiar nga “produktet toksike”, qetësuar likuiditetin etj. Europianët po binden çdo ditë e më tepër se thellimi drastik i disiplinës buxhetore e fiskale në zonën euro dhe krijimi sa më shpejt i një Europe monetare reale është përgjigjja më e mirë ndaj krizës së borxheve.

Në syrin e ciklonit duket se janë dhe mjaft banka europiane. A rrezikohet seriozisht sistemi bankar europian nga kjo krizë?

Duke iu referuar kreut të FMN, Christine Lagarde, pritet që bilancet e fondeve e bankave europiane të zvogëlohen me rreth 200 miliardë euro, si pasojë e sasisë së madhe të bonove të thesarit dhe obligacioneve shtetërore që ato kanë. Kjo bën urgjente një rikapitalizim të shpejtë e të domosdoshëm të tyre, sepse, në rast të kundërt, ekziston rreziku i falimentimit të bankave më të dobëta e më të vogla dhe propabilisht një zinxhir i gjatë falimentimesh, ekziston rreziku i bllokimit të likuiditetit, i zvogëlimit drastik të kreditimit, i rifinancimeve reciproke ndërmjet bankave etj. Çështja e rikapitalizimit të bankave europiane përbën dhe një nga nyjet gordiane që politika europiane dhe ajo ndërkombëtare po mundohen ta zgjidhin me shpejtësi, sepse përtej rrezikut të falimentimit, qëndron dhe kërcënimi për mungesën e financimeve për rritjen ekonomike, vendin kryesor të të cilave e zënë kreditë bankare. Qeverive europiane po u bëhet thirrje që të ndihmojnë me fonde publike bankat e tyre, ndërkohë që bankave u bëhet thirrje që ta shikojnë mbështetjen publike si mundësinë e fundit pasi të kenë ezauruar financimet në tregjet financiare, shitjen e filialeve, limitimin e dividentëve etj. Bankat Qendrore po i përgjigjen këtij momenti me një shtim të likuiditetit në treg, sidomos në dollarë amerikanë. Banka Kombëtare e Zvicrës, Banka e Anglisë, Banka e Japonisë, BQE dhe Fed që prej disa ditësh janë angazhuar në veprime konkrete për të shtuar likuiditetin e bankave evropiane, duke hedhur në treg rreth 600 milionë dollarë. Ndërkohë FMN bën thirrje që për këtë qëllim të hyjë në lojë ”Fondi Europian i Stabilitetit Financiar”, i krijuar në maj 2010, por që, së fundi, kryetarët e shteteve dhe qeverive europiane i dhanë të drejtën (akoma të paratifikuar tërësisht nga Parlamentet nacionale) që të blejë borxhin publik të vendeve të eurozonës. Një thirrje e veçantë për ndihmë u është bërë edhe vendeve të grupit BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut), që ta ndihmojnë zonën euro duke blerë një pjesë të borxhit të saj. Të gjitha këto lëvizje e politika monetare të bëjnë të mendosh se sistemi bankar europian po kalon një moment të vështirë, por që në një perspektivë të afërt mund të shkojë drejt normalizimit. Bursat, që janë barometri më i mirë i shëndetit të bankave, reaguan pozitivisht ndaj këtyre masave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›