Autizmi me rritje në Lezhë- 80 fëmijë të diagnostikuar deri tani, por numri mund te jetë më i lartë

Autizmi po njeh një rritje të ndjeshme edhe në Lezhë. Sipas të dhënave zyrtare, janë rreth 80 fëmijë të diagnostikuar, por mendohet se ky numër mund të jetë më i lartë, pasi shumë prindër ende nuk e pranojnë këtë gjendje tek fëmijët e tyre duke mos i drejtuar ata tek institucionet për trajtim dhe mbështetje. Shqetësimi është ngritur nga mjekia logopede Eranda Alcani, sipas të cilës pranimi i hershëm i diagnozës nga prindërit dhe ndërhyrja në kohë janë vendimtare për progresin e fëmijëve.
Eralda Alcani, mjeke logopedë u shpreh për RTSH-në, se “ sa më e hershme të jetë ndërhyrja aq më e favorshme është dhe për ne progresi për zhvillimin e fëmijës. Është një shifër e frikshme e fëmijëve me autizëm. Kohë e fundit vihet re një ndërgjegjësim i prindërve për problematikat e fëmijës ndoshta dhe duke komunikuar me njëri tjetrin. Është një sensibilizim më i madh se sa vitet e hershme dhe prindërit janë pionierë shumë të fortë të terapisë.”
Bashkia e Lezhës ka nisur një angazhim të ri për përfshirjen e fëmijëve me autizëm në institucionet kulturore dhe aktivitetet e tyre, duke synuar krijimin e një mjedisi më të hapur dhe mbështetës për këtë shtresë të shoqërisë.
/rtsh.al/