E Diel, 1 Nëntor 2026

Autizmi, mes rrugëtimit dhe shpresës, nëna e binjakeve 27-vjeçar thirrje për mbështetje. Ekspertët ndajnë sfidat

 “Janë shumë vite sfidash, shumë vite lufte dhe sakrificash. Bashkëshorti im ka ndërruar jetë para 21 vitesh dhe si nënë e vetme e kam përjetuar shumë rëndë rritjen e dy djemve me autizëm. Ka qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë dhe e lodhshme. Shpesh jam përballur edhe me dilema të rënda, madje edhe me mendimin për t’i dhënë fund jetës bashkë me fëmijët, pasi jeta më ka vënë përballë shumë vështirësive dhe nuk kam pasur përkrahje. Ka qenë një situatë e papërballueshme në shumë momente, por jam rrëzuar dhe jam ngritur sërish, vetëm për hir të fëmijëve. Gjithmonë kam menduar për ta dhe kam gjetur forcën të vazhdoj përpara”.

Kjo është Valentina, nëna e dy binjakëve 27-vjeçarë me autizëm, e cila është endur 5 vite rrugëve të Europës për të kërkuar azil për një jetë më të mirë për fëmijët e saj.

“Por e pamundur na japi ndihmën atje sepse shteti këtu deklaron që ju ofrojmë gjithçka, por në të vërtetë ato figurojnë vetëm në letër”, shprehet ajo.

Prindër, ekspertë nga rajoni dhe vendi u bënë bashkë për autizmin në një konferencë rajonale të  organizuar nga Qendra “Lumturo Dhimbjen “ për të sjellë në vëmendje nevojat dhe zgjidhje konkrete.

“A keni dëgjuar ndonjëherë një nënë që lutet, o Zot, kur unë të vdes, le të vdes edhe im bir”,  Xhixhe Stafuga, psikologe.

“Sfidat që kemi përpara janë reale dhe kërkojnë zgjidhje reale. Ato kërkojnë politika që funksionojnë në praktikë, shërbime që arrijnë deri te familja dhe mbështetje të vazhdueshme në kohë, jo vetëm në momente të caktuara”, tha Brixhilda Muça – Drejtore qendra “Lumturo Dhimbjen”

Valentina dhe prindër të tjerë të mbetur të vetëm në këtë betejë kërkojnë më shumë mbështetje nga autoritetet pasi energjitë e tyre fizike tashmë po shkojnë drejt shterimit.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›