E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autobusi u nis

magdaNga Magdalena Ramohito

Si në çdo vit elektoral në Shqipërinë tonë të tranzicionit,  përpara dhe pas hartimit të listave për kandidatët që do të garojnë për tu bërë pjesë e forumit parlamentar, ka një zhurmë, e cila sa vjen e bëhet më bezdisëse dhe e pakuptimtë.

Shohim e lexojmë njerëz që ankohen e të tjerë që hakërrohen, e të tjerë që justifikohen, por asnjë duket se nuk e kupton efektin që bën tek njerëzit tek ata që vërtetë e vlerësojnë moralin.

Shkenca është jashtë përmbajtjes së moralit, sepse ajo merret me të vërtetat e përjetshme, ashtu si edhe arti ndodhet jashtë moralit, sepse ai gjithë kohën i mban sytë nga sendet e bukura, të pavdekshme dhe përherë të ndryshueshme.

Moralit, përkundrazi i përkasin, shtresat e pazhvilluara, ato më pak të zgjuara e më pak intelektuale, dhe duket se këta njerëzit e indinjuar nga mosvënia në lista u drejtohet pikërisht këtyre shtresave dhe në përgjithësi retorika politike  i drejtohet kësaj shtrese popullsie. Edhe shpifjet për jetët personale të figurave publike qëllimisht  futen nëpër gojët e njerëzve që i përkasin këtyre shtresave, sepse në fakt ato i përhapin me shpejtësi dhe efekti mbetet për aq kohë sa kundërshtarit i nevojitet..

Zakonisht zhurma zgjat vetëm tri ditë dhe në të vërtetë kur pashë AUTOBUSIN e PS që duket se është një metaforë që patjetër shpreh diçka mendova, e po, shumica e njerëzve ka thënë: rrugë e mbarë pra!

Dhe nëse këta njerëz urojnë të mirën kësaj force politike përveç përkatësisë që kanë me të për arsye ideologjike, një pjesë shumë e madhe, por edhe një pjesë pragmatiste, jo e atashuar aty, arsyeja qëndron në frikën që njerëzit ndjejnë vetë. Thuhet se baza e optimizmit është vetëm tmerri. Në fakt ne besojmë se jemi të njerëzishëm kur shpërblejmë atë person nga veprimet e të cilit ne vetë kemi leverdi. Sigurisht kur depozitojmë para në bankë vetvetiu i buzëqeshim bankierit tonë sepse për të ushqejmë ndjenja të mira sepse shpresojmë se ai do ti bëjë fitimprurëse fondet tona, gjithashtu për kusarin e lagjes zbulojmë se kemi ndjenja të mira përderisa neve personalisht nuk na i ka trazuar xhepat…

Pra nga tmerri që kanë përjetuar shtresat e pazhvilluara të shoqërisë në këto 8 vjet qeverisje i urojnë opozitës me gjithë zemër fitoren dhe ankesat e njerëzve të listave u përgjigjen duke u treguar munxët, sigurisht duke mos pasur gjë personale me ta, por duke i parë si pengesë në përmbushjen e shpresës së tyre për të shpëtuar prej tmerrit që kanë përjetuar.

Në fakt kur e pashë autobusin e PS me stafin që po bën fushatën përkatëse, ndër mend më erdhi një shprehje që unë vet e përdor shpesh: nëse nuk hipën në autobus, mbetesh më këmbë… dhe sigurisht që pati nga ata që nuk hipën dot e megjithatë nuk janë shprehur negativisht përkundrazi janë shprehur shumë entuziastë se do të vazhdojnë në atë rrugë që ndjek autobusi, ndoshta do të hipin në tjetrin që do të vijë në kohën e duhur, ashtu siç priti p.sh: z.Musa Ulqini për katër vjet dhe ja ku hipi dhe u prit me duartrokitje nga të gjithë, por kryesisht nga ajo shtresa e njerëzve të thjeshtë që kanë nevojë që autobusi të mbërrijë në destinacion, sepse në fund të fundit secili do në këtë jetë për veten më të mirën dhe shumica e njerëzve atë e arrin në saj të një qeverisje të mirë.

Por edhe pse AUTOBUSI u nis ka nga ata që vazhdojnë bëjnë zhurmë, një zhurmë bezdisëse që duket se po u kthehet si bumerang në vend të përfitimit, që ata vetë llogarisin të kenë. I kemi dëgjuar të krenohen se do të kandidojnë të pavarur dhe këtë e shoqërojnë me shpjegimin e nevojshëm se nuk do ti kundërvihen PS, por do të shtojnë numër deputetësh aty, në fakt dihet se, një shumicë votash për PS do të shkojë kot, pra e kundërta do të ndodhë (nëse arrijnë të kandisin njerëzit hallexhinj), sepse planet e tyre gjetkë e kanë synimin..

Në fakt mosbesimi ndihet në fytyrat e tyre, në zërin kur flasin, por duket se dikujt i kanë një borxh e duhet me çdo kusht tia kthejnë.

Duket se kanë një axhendë personale të tyren dhe imponohen ta bëjnë pjesë edhe të elektoratit të majtë, me besimin e verbër se këtë do ta kenë për vete, por në fakt, gjërat për të cilat njeriu është fare i sigurt nuk janë kurrë të vërteta. Ky është fataliteti i besimit dhe i mësimit.

Thuhet se politika është art, por nëse ata që e luajnë atë e bëjnë për interesa fare personale, duhet ta dinë se për ato shtresat e ulëta kjo konsiderohet dhe është një krim. Në fakt kjo është një metodë shumë e thjeshtë që të sigurohemi për ndjenjat tona.

Këta politikanë  që nuk po rreshtin së dali në publik  flasin shumë për vlera të demokracisë, përbetohen për dashurinë ndaj vendit dhe mbështetësve të tyre ka edhe nga ata që deklarojnë se nuk kanë fare skrupuj mjafton që të jenë në politikë , dhe gjithë këtë e bazojnë tek shtresat e pazhvilluara, tek ato më nevojtaret ose (nuk kemi të drejtë të akuzojmë , por dyshimin, është e drejta jonë ta themi) tek tjetërsimi i votës. Është shumë e turpshme të shesësh përpara turmave moral, kur në fakt tmerri që na kall Shoqëria, është themeli i çdo morali, prandaj  pritshmëria e tyre është vërtetë zero vota nga elektorati i majtë, një elektorat i tmerruar, i cili beson në vlerat e vërteta dhe jo ato të shtirurat.

AUTOBUSIT udhë të mbarë!- na leverdis të gjithëve ta themi, sepse jemi të tmerruar nga kjo qeveri. Ne nuk mund të kthehemi tek shenjtorët sepse kemi për të mësuar shumë më tepër nga mëkatarët.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›