E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, akoma të sëmurë nga dipoli PD- PS?

frymaNga Agim Zeka

Në një bisedë-debat me miq intelektualë, si kudo këto kohë (në familje, punë, kafe etj), bisedonim për një sërë sondazhesh që bëhen e publikohen së fundmi për rezultatet e pritshme të zgjedhjeve të 23 qershorit për Kuvendin e ri të Shqipërisë. Ajo çka mund të them me nxitim është: Sondazheve, ose më mirë, rezultateve të të dy elefantëve të politikës shqiptare, u bie era e bashkëpunimit mëse 20-vjeçar të këtyre dy plakave, bashkëfajtore për gjendjen në të cilën vazhdon të ndodhet, në mënyrë të pamerituar vendi ynë. Një proverb i vjetër indian thotë se elefantëve, edhe kur bëjnë dashuri, sherrin ua sheh i gjithë pylli, lëre pastaj

Dhe sigurisht, nëse përqendrojmë sado pak memorien tonë, të gjithë bindemi se sondazhet në fjalë, me shifra ndjeshëm të distancuara nga alternativa të tjera jashtë dipolit PD – PS, tregojnë haptazi marrëveshjen e hershme ndërmjet dy alternativave që kanë qeverisur deri tani vendin e janë përgjegjëset e vetme për gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet Shqipëria, demokracia dhe gjendja ekonomiko-sociale e saj. E thënë me gjuhën popullore, marrëveshja e fëlliqur ka qenë: Dy herë ne, një herë ju e pastaj, dy herë ju e një herë ne, etj. Por, duke shtuar edhe: Ne në pushtet, nuk do të merremi me ju, por edhe ju në pushtet nuk do të merreni me bëmat dhe hajdutllëqet tona e kështu me radhë

Le ta transferojmë pak problemin në popull, pra te votuesit shqiptarë, pre e përhershme (deri tani) e përzgjedhjes së të keqes më të vogël, gjithnjë nga dy të këqijat PD e PS, që, për hir të së vërtetës e kanë pranuar këtë status zgjedhor. Kështu, megjithëse janë stërvitur në shumë zgjedhje (politike e administrative), zgjedhësit shqiptarë, të infektuar nga sëmundja jo e pashërueshme, kanë reaguar deri tani, ose duke zgjedhur pra njërën nga këto dy parti të vjetra (si të keqen më të vogël), ose duke i bojkotuar (sidomos në dy-tre të fundit) në masë (gabim i pafalshëm). Dhe kështu e programuar, jeta politike, ekonomike e sociale e vendit është zvarritur për 23 vite me radhë dhe, rrezikon për inerci të vazhdojë, për fatalitet të një populli që e do demokracinë, por që e ka jo të lehtë të shkëputet nga skema e deritanishme, edhe pse ka parë së fundmi eksperiencat e vendeve fqinjë, ku të mëdhenjve u është dhënë një mësim i mirë në drejtimin e duhur.

Kështu, është krijuar psikoza e gabuar se ky popull nuk meriton më shumë, se ky vend nuk bëhet etj. Dhe, ethet për tu larguar e jetuar kudo jashtë (sidomos nga rinia) janë kthyer më fort se kurrë.

Por, pikërisht në këtë kohë thuajse të mungesës së madhe të shpresës për rikthimin e demokracisë së ëndërruar nga lëvizja e studentëve në dhjetorin e 90-ës, kanë zbritur në fushën politike alternativa të reja, ndër të cilat, Fryma e Re Demokratike (FRD).

Edhe pse një vjeçare, FRD, me programin e saj modern të një partie të vërtetë të Qendrës së Djathtë, me qëndrimet e palëkundura e konsekuente politike ndaj dy përgjegjëseve të vjetra, me moralin e ri politik e qytetar që po u ofron zgjedhësve shqiptarë, po u ringjall shpresën dhe po u ofron mundësinë e një të ardhme më të mirë në çdo fushë të jetës ekonomike e sociale.

Së pari e ndryshe nga çdo forcë tjetër politike, FRD po u bën thirrje shqiptarëve të kryejnë detyrimin qytetar, të shkojnë të votojnë këtë radhë për ndërtimin e një shteti funksional demokratik, duke i dhënë fund kështu një tranzicioni të dështuar e të stërzgjatur.

Dhe më kryesorja, FRD, përmes programit të saj realist (pika jo të pakta të të cilit ia kanë vjedhur parti të tjera), të qartë e plotësisht të zbatueshëm në të ardhmen e afërt në Shqipëri, shpreson e ka besim se shqiptarët do të shërohen më në fund nga sëmundja e dipolit PD-PS.

Është koha kur vendi ndodhet në një udhëkryq historik të kthesës së madhe drejt një të ardhme ndryshe, ashtu siç e ëndërruam dhe e filluam në vitet e famshme 1990-91. Gjithçka është në dorën tonë, të zgjedhësve shqiptarë. Mjaft kemi humbur, tani është përsëri momenti të fitojmë kohën e humbur

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›