E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autokritika e Mehmet Shehut: Si i pushkatova 67 ballistë në një ditë

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

“Mes tyre kishte edhe të pafajshëm e të gënjyer”

Në pamje të parë të duket rastësi pendesa e Mehmet Shehut plot dhjetë vjet më vonë, për rolin e tij në krimin më makabër të viteve të luftës, por nuk është krejt kështu.

Në Plenumin e KQ të nëntorit të vitit 1953, ish-komandanti i Brigadës së Parë, i kryqëzuar për praktikat antiparti si ministër i Brendshëm, detyrohet të “hapë lojën”, duke shtuar në gabimet e tij edhe ato më të hershmet. “Në tetorin e vitit 1943, kam urdhëruar pushkatimin e 67 nacionalistëve në zonën e Lushnjës!”
Autokritika e Shehut për një nga bëmat e kohës së luftës, në vitet e diktaturës, nuk u publikua asnjëherë. Madje, ajo u retushua edhe nga materialet e Plenumit të nëntorit ’53, ku u shqyrtua për herë të parë. Gazeta “Panorama” ka siguruar dorëshkrimin e ish-kreut të Brigadës së Parë me artikulimin e ndjesës për aktin ekstremist e sektar, siç e cilëson ai, që pasoi me 67 viktimat, ndër të cilët kishte edhe “të pafajshëm” e “të gënjyer”. Në të, ngjarja tragjike shtjellohet thjesht “një gabim si rezultat i temperamentit impulsiv”, që zë vetëm katër rreshta në dokumentin prej gjashtë faqesh ku nuk mungojnë ditirambet propagandistike dhe elozhet për Enver Hoxhën si udhëheqësi i lavdishëm i Partisë. Pjesa tjetër e reflektimit të Shehut fokusohet në përgjegjësitë e tij për “sjelljet jo revolucionare” të organeve të Brendshme ndaj qytetarëve vështruar, siç përmend ai, nën prizmin e analizës së Partisë Bolshevike të Bashkimit Sovjetik ndaj veprimtarisë tradhtare të Beries, ish-shefit të KGB-së. “Mbërritja në këto momente e letrës së Bufit, shton Shehu i tunduar nga kompleksi i persekucionit, i hodhi benzinë zjarrit të goditjes ndaj meje”. Pavarësisht karakterit emotiv me të cilin ministri i Brendshëm shpjegonte gabimet dhe shkeljet në detyrë, Hoxha ofronte një optikë tjetër, duke vënë në diskutim çështje të rëndësishme. Në këto rrethana, përbetimi i Shehut, që pak më herët kishte kërkuar ndihmën e ambasadorit sovjetik për të rivendosur besimin e Enverit, së paku për këtë të fundit, rezultonte jo bindës. Sidoqoftë, kumtimi autokritikë i ministrit të kryqëzuar ishte një ngjarje jo e zakontë në historinë e lidershipit komunist…

AUTOKRITIKA
Shokë, e ndjej të nevojshme të informojë plenumin mbi një gabim të madh politik që unë kam bërë dhe të bëj autokritikën, si na mëson Partia, se kështu jam i bindur që edhe unë do ndihmohem se edhe vet plenumi do përfitojë. Një gabim që bëhet nga një anëtar i Byrosë Politike i kushton shtrenjte Partisë. Unë besojë se autokritika ime para plenumit do të më forcojë, do të më bëjë më të aftë për të kryer detyrën e rëndësishme që më ka ngarkuar Partia dhe njëkohësisht do të jetë edhe një bazë për plenumin, për të gjykuar mbi të metat e mia. Lufta për ndërtimin e socializmit është e pandarë nga lufta me mbeturinat mikroborgjeze. Unë e di se duke njohur gabimet e mia thellësisht, do të jem nesër më i fortë e do ta ndiej veten më të aftë për të luftuar kundër armiqve të Partisë e të popullit, për të luftuar për ndërtimin e socializmit. Gjatë jetës sime si komunist, që kurse jam anëtar partie deri më sot, kam bërë gabime të ndryshme, të vogla dhe të mëdha, disa prej tyre me rëndësi parimore. Partia kurdoherë më ka ndihmuar për t’i ndrequr ato, duke më kritikuar drejt dhe në kohën e duhur. Sa herë që jam kritikuar për gabimet e të metat e mia, kam bërë autokritikë të sinqertë, e cila ka bërë efektin e saj pozitiv duke më forcuar si komunist.

URDHRI I PUSHKATIMIT

Liri Belishova duke rrëfyer për Panorama

Nga gabimet që kam bërë në të kaluarën, do veçoja ato që kanë rëndësi parimore: Së pari, është akti ekstremist që unë kreva si Komandant i Brigadës së Parë Sulmuese e kryetar i gjyqit ushtarak të kësaj brigade, duke urdhëruar pushkatimin e 67 ballistëve të forcave të Hamit Matjanit, që ne kapëm gjatë luftimeve që patëm në Matjan në zonën e Lushnjës, në tetor 1943. Përgjegjësia kryesore për pushkatimin e këtyre më bie mua. Një pjesë e mirë e tyre nuk qe nevoja të pushkatoheshin, se qenë persona të zhgënjyer nga armiku. Për këtë unë u kritikova drejt nga Komiteti Qendror i Partisë dhe Shtabi i Përgjithshëm. Unë e njoha këtë gabim si rezultat i temperamentit tim impulsiv para shokut Enver, por autokritika ime nuk qe e plotë.
Së dyti, është qëndrimi im karshi praktikave sektare të organeve të Brendshme që kam drejtuar për disa kohë. Në fillim të muajit korrik të këtij viti, u botua kryeartikulli i Pravdës (gazeta e KQ të PKBS-shënim i red.) “Uniteti i pathyeshëm i partisë e popullit sovjetik”, në lidhje me tradhtinë e Berias. Ai u punua në të gjitha organizatat e partisë. Unë bisedova disa herë me shokun Enver rreth nevojës së një analize të gjerë të të metave në organet e Punëve të Brendshme, në prizmin e artikullit të gazetës “Pravda”. Pas botimit të këtij artikulli dhe sidomos me studimin që i bëmë praktikës së KQ të PK të BRSS mbi veprimtarinë armiqësore të Berias, unë si ministër i Brendshëm u futa në një preokupacion të thellë për sa i përket gabimeve në punën e organeve të ministrisë së brendshme. Unë isha në korent të shumë gabimeve në punën e tyre, me gjithë se jo sa duhet. Unë fillova të preokupohem thellë duke bërë mbledhje pas mbledhjesh me personelin e drejtuesve të organeve të Brendshme, duke analizuar të gjitha të metat mbi ruajtjen e ligjshmërisë revolucionare dhe mbi sjelljen ndaj popullit me të gjithë efektivin e Ministrisë së Brendshme. Preokupacioni im ishte i dyfishtë: Nga një anë, i ndërgjegjshëm si anëtar i Byrosë Politike për nevojën e zbulimit të të gjitha të metave dhe për rrezikun që mund të lindte po të mos luftoheshin si duhet ato, unë preokupohesha thellë për t’i zbuluar e për t’i luftuar ato. Nga ana tjetër, duke mos e treksur si duhet kritikën për to, i ndrydhur në sedrën mikroborgjeze të prekjes nga kritikat, fillova të preokupohesha edhe nga kjo anë, d.m.th., nga ana e prekjes së prestigjit mikroborgjez nga kritika për mangësitë në punën time.
Kështu, gjatë kësaj kohe unë jetoj një periudhë preokupacioni kontradiktor e nervozizmi të ekzaltuar. Megjithëse më vinte rëndë që konstatoheshin gjithë ato të meta në punën e organeve që unë drejtoj, prapë së prapë kurrë nuk i mbulova ato, por u përpoqa për t’i zbuluar gjer në fund. Kjo ka qenë një periudhë preokupacioni kontradiktor e nervozizmi, sepse unë ndodhesha para nevojës dhe interesit të Partisë për t’i zbuluar gjer në rrënjë të gjitha të metat e organeve që unë drejtoj nga një anë, dhe nga ana tjetër, në të njëjtën kohë, ndodhesha edhe para sedrës personale mikroborgjeze që prekej e do prekej nga kritika e gabimeve dhe të metave.

ÇËSHTJA BUFI
Pikërisht kur ishte krijuar tek unë një situatë e tillë nervozizmi e preokupacioni kontradiktor, u informova nga shoku Enver mbi çështjen e Sokrat Bufit. Sokrat Bufi, që studionte në Shkollën e lartë të Partisë në Bashkimin Sovjetik, kishte ngritur para Komitetit Qendror se gjoja dyshonte shumë tek unë si “karrierist dhe njeri që do t’i zërë vendin shokut E

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›