Ngjela: Hoxha, Shehu, Kapo e Balluku si familjet mafioze të Nju Jorkut

Spartak Ngjela
Ngjela: Enver Hoxha i dha pushtet Mehmet Shehut nga frika se mos e rrëzonte Hrushovi.
Spartak Ngjela thotë se ka tentuar ta analizojë komunizmin në rrafsh botëror dhe raportet e tij me atë shqiptar në librin e tij Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare. Në intervistën për Panorama, Ngjela flet për katërshen mafioze që drejtoi shtetin komunist deri në vitin 1970 dhe arsyet pse më pas Enver Hoxha e eliminoi elitën komuniste në drejtimin e Partisë së Punës në funksion të pasardhësit që do ti ruante të pacenuar familjen dhe kultin e tij personal.
Z. Ngjela, në librin tuaj Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare, keni identifikuar një katërshe tek e cila ishte përqendruar i gjithë pushteti në Shqipërinë komuniste: Hoxha, Kapo, Shehu dhe Balluku. Madje ju këtë e keni krahasuar me pesë familjet mafioze të Nju Jorkut. Gjykoni që ideologjia komuniste ishte thjesht një koperturë e tyre për të mbajtur me dhunë sa më gjatë pushtetin, apo atë përfituan nga marrëveshja e Jaltës, që e la Shqipërinë nën influencën e Lindjes?
Kam përshtypjen se kjo pyetje duhet trajtuar më gjerë në sensin historik. Unë jam i pari që në publicistikën historike shqiptare, kur vjen fjala për të trajtuar periudhën e diktaturës komuniste, kam folur për katërshen shqiptare si instrumenti kryesor në mbajtjen e pushtetit në Shqipëri që nga viti 1959 e deri në vitin 1979. Në fakt, ky ka qenë një
realitet, që katër njerëz të fuqishëm, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Beqir Balluku, u bashkuan jo nga rasti, por për të ruajtur pushtetin pas presioneve që politika sovjetike bënte për të rrëzuar Enver Hoxhën në Shqipëri. Në librin tim e kam trajtuar këtë katërshe jo si katër mafiozë në kuptimin e drejtpërdrejtë të kësaj fjale, por si katër grupime të mëdha që në strukturë u ngjanin pesë familjeve mafioze të Nju Jorkut, sepse, në fakt, dilnin jashtë sistemit legal që funksiononte në Shqipëri, madje edhe jashtë strukturës statutore të Partisë së Punës. Me këtë kam dashur të them se ky ishte një bashkim joinstitucional, por që kishte gjithçka në dorë. Kjo është një e vërtetë, dhe ju këtë mund ta gjeni edhe në dokumentet e kohës. Enver Hoxha u detyrua ta krijonte këtë grupim që qëndronte mbi të gjithë, sepse këta ishin, në fakt, realisht persona që kishin mbrapa përkrahës. Kjo është normë për politikën. Por, duke qenë në rrezik nga likuidimi që ka dashur ti bëjë Hrushovi, ai e dinte nga eksperienca e diktaturave komuniste se nëse politika sovjetike nuk do të kishte një njeri të fortë brenda Partisë së Punës, nuk kishte mundësi ta rrëzonte. Dhe prandaj Hoxha i kapi tre të mundshmit që mund ta rrëzonin, sidomos Mehmet Shehun, dhe u dha pushtet përpara se sa këtë tua premtonte Nikita Hrushovi. Madje, po ta shohësh më thellë, loja ishte për të neutralizuar Mehmet Shehun, gjë të cilën ai e arriti.
Ky është arsyetimi im, dhe kjo është në fakt dhe vetë politika. Njeriun e fortë brenda vetes, ose do ta kapësh ti, ose do të ta kapë kundërshtari. Prandaj Hoxha kishte vepruar përpara se sa të vepronte Hrushovi, sepse kur u kujtua Hrushovi që të kapte Mehmet Shehun, ky ishte angazhuar me Enver Hoxhën. Dhe kjo del qartë në libër, e arsyetuar dhe e analizuar kështu. Kurse përsa u përket koniunkturave ndërkombëtare, ato sigurisht që kanë luajtur rolin e tyre; edhe Jalta gjithashtu, por e rëndësishme është të theksoj se libri im nuk është analizë personale personash, ata janë parë si individë që kanë luajtur historinë e tiranisë në Shqipërinë komuniste; kurse libri e ka theksin te përshkrimi i një epoke historike totalitare komuniste e përplasur me demokracinë liberale dhe me qytetërimin perëndimor. Nuk ka mundësi të kuptohet tirania komuniste në Shqipëri nëse e shkëput atë nga një histori europiane dhe botërore të totalitarizmit stalinian. Dhe unë mendoj se e kam arritur këtë, dhe lexuesi i kualifikuar, madje, më ka befasuar më kapjen e thellë që i ka bërë librit, ndonëse është ende vetëm një volum.
Mund të na i përcaktoni vijat ose paralelet historike të librit tuaj, duke përmendur të dyja volumet?
Libri përbëhet nga dy vëllime, të ndara në katër libra. Deri tani janë botuar dy libra të përmbledhur në një volum, prandaj janë për tu botuar dhe dy libra të tjerë, që përbëjnë volumin e dytë. I gjithë punimi, që shkon në mbi 1000 faqe, është strukturuar si letërsi kur ecën në udhën e atyre që mund të quhen kujtime ose ngjarje vetjake; ai është strukturuar si trajtim psikologjik kur analizon shoqërinë në konfront më diktatorin apo vetë regjimin komunist në Shqipëri; është shkruar me stil të publicistikës së historisë dhe i qëndron strukturës së historicizmit kur ai merret me historinë e mirëfilltë; libri ka karakter antropologjik kur analizon kulturën shqiptare dhe, së fundi, ka karakter filozofik kur analizon periudhën historike dhe zhvillimin e Shqipërisë, kur analizon tërësinë e konceptit modern të zhvillimeve brenda vendit dhe në rrafsh ndërkombëtar. Nën këtë metodë, atje janë përplasur vullnetet e diktatorëve, kur është fjala mes Hrushovit dhe Enver Hoxhës, apo Maos dhe Hoxhës gjithashtu; është përplasur psikologjia e grupit dhe diktatorit, kur është analizuar tabuja shqiptare, si u krijua dhe çfarë ajo solli në rrafshin e psikologjisë shqiptare si masë; dhe ka përplasje gjykimesh me karakter filozofik kur është analizuar qytetërimi perëndimor, epoka e pasluftës, koha moderne, postmodernizmi apo dhe vetë totalitarizmi. Të gjitha këto mund të quhen paralele të librit, të cilat, sigurisht se mendoj që do të marrin më shumë forcë dhe do të plotësojnë njëra-tjetrën kur lexuesi do të ketë në dorë edhe volumin e dytë, i cili është thuajse sa ky i pari për numër faqesh.
Në librin tuaj ju i ndani në dy periudha kohore spastrimet në kupolën e lartë komuniste, atë të para viteve 70, ku Enver Hoxha eliminonte kundërshtarët e tij politikë duke u mbështetur në koniunkturat jugosllave, sovjetike; dhe pjesën pas viteve 70, kur nisën likuidimet në funksion të pasardhësit të diktatorit. Ku e mbështesni idenë se Hoxha zhduku përkrahësit e vet më të afërt për Ramiz Aline dhe pse këta të fundit nuk e ndaluan dot Hoxhën e dobësuar dhe nga sëmundjet pas vitit 1973?
Në libër unë i ndaj të goditurit në dy periudha, sepse deri në vitin 1970 Hoxha i goditi bashkëpunëtorët e tij në funksion të pushtetit të tij, kurse pas vitit 1970 ai i goditi më shumë për të garantuar pasardhësin e vet që do ti ruante familjen dhe figurën e tij të pacenuar. Hoxha nuk ishte një Kim Ir Sen që ta linte djalin në pushtet me një kult, sikurse u pa në Kore me djalin e diktatorit Kim. Kjo sepse ai nuk mund ta bënte dot pa eliminuar katërshen dhe, me sa arsyetoj dhe analizoj unë, nuk e ka pasur këtë ndjesi të brendshme si propensitet natyror. Hoxha ishte një tip diktatori si Stalini, që nuk ishte interesuar për të ardhmen e një pushteti dinastik. Dhe kështu kishte vijuar deri në vitin 1967. Por, në këtë vit, Revolucioni Kulturor kinez i Mao Ce Dunit sikur e gjallëroi disi për tu kujtuar për pasardhësin. Në fakt, kjo ka qenë dobësia e tij kryesore, e cila shkatërroi të gjithë sistemin që ai vetë kishte ngritur. Komunizmi ka qenë ideologji dhe socializmi ka qenë sistem. Jashtë këtyre të dyjave nuk mund ta analizosh periudhën e Enver Hoxhës në Shqipëri. Brenda këtij konteksti historik, Enver Hoxha mbajti brenda një sistem ekstremist stalinian dhe nuk