E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoriteti Rrugor Shqiptar mbyll rrugën drejt Thethit për shkak të dëborës dhe rrezikut nga ortekët

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se rruga që të çon drejt Thethit do të vijojë të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë, për shkak të reshjeve intensive të dëborës dhe rrezikut të shtuar për ortekë.

Sipas njoftimit zyrtar, situata paraqitet problematike për shkak të trashësisë së borës dhe paqëndrueshmërisë së saj në disa segmente rrugore. Kontraktori i mirëmbajtjes ndodhet në terren dhe po monitoron nga afër gjendjen, por ndërhyrja me mjete të rënda në këto kushte mund të shkaktojë tronditje që aktivizojnë rrëshqitje masive të dëborës, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përdoruesit e rrugës.

Siguria e qytetarëve mbetet prioritet kryesor për autoritetet, ndaj u bëhet thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve dhe vizitorëve që të shmangin çdo lëvizje në këtë segment rrugor deri në përmirësimin e kushteve atmosferike dhe stabilizimin e plotë të situatës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›