E Hënë, 2 Nëntor 2026

Autorizohet skema e re e ndihmës shtetërore për grupet në nevojë në Tiranë, 16 milionë lekë për sipërmarrjet vulnerabël

Hyn në fuqi zyrtarisht vendimi i Komisionit të Ndihmës Shtetërore, i cili ka autorizuar skemën e ndihmës shtetërore të njoftuar nga Bashkia Tiranë, me titull “Mbështetje për incentiva të reja për grupet në nevojë”. Kjo skemë, e cila synon të nxisë zhvillimin e bizneseve nga individë dhe grupe vulnerabël, do të financohet me një fond prej 16,000,000 lekësh (gjashtëmbëdhjetë milionë lekë) nga buxheti i Bashkisë Tiranë për vitin 2025.

Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është të stimulojë idetë dhe sipërmarrjet inovative të grupeve në nevojë, duke u ofruar atyre mundësi për integrim në tregun e biznesit dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Skema mbështet krijimin e mundësive për zhvillimin e bizneseve nga individë dhe grupe vulnerabël.

Përfitues të kësaj ndihme do të jenë të gjitha Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NMVM), të cilat do t’i nënshtrohen një procesi ndarë në tri faza:

Faza e parë: Kandidatët aplikojnë me idenë e tyre bazë për biznes.

Faza e dytë: Aplikantët e pranuar marrin pjesë në trajnime për aftësitë e biznesit dhe zhvillimin e planit të biznesit, dhe më pas dorëzojnë planet e tyre për konkurrim për grant.

Faza e tretë: Fituesit e njoftuar do të firmosin një kontratë 12-mujore për të marrë financimin e grantit dhe mbështetje këshilluese.

Skema do të zbatohet gjatë vitit 2025 ekskluzivisht në territorin e Bashkisë Tiranë. Çdo përfitues do të mbështetet me një shumë prej 800,000 lekësh (tetëqind mijë lekë).

Vlerësimi i komisionit dhe përputhshmëria me rregullat e ndihmës shtetërore

Në vendim thuhet se Komisioni vlerësoi se plani i ndihmës i Bashkisë Tiranë përbën ndihmë shtetërore, pasi aktivizon burimet shtetërore, ofron një avantazh ekonomik për NMVM-të fituese dhe mund të ndikojë në konkurrencë e tregti.

Megjithatë, Komisioni e gjeti skemën të përputhshme me rregullat e ndihmës “De minimis”, të parashikuara në ligjin shqiptar dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Vlera totale e ndihmës për një ndërmarrje të vetme nuk kalon 14,000,000 lekë (katërmbëdhjetë milionë lekë) për një periudhë financiare prej tre vjetësh (ndihma maksimale individuale është 800,000 lekë).

Ndihma është transparente, pasi jepet në formën e grantit dhe mund të llogaritet saktësisht. Kohëzgjatja e skemës është një vit, duke përmbushur kërkesën për periudhë financiare.

Si rezultat, Komisioni i Ndihmës Shtetërore vendosi të autorizojë skemën. Bashkia Tiranë duhet të paraqesë raporte vjetore për impaktin e ndihmës dhe të ruajë të dhënat për zbatimin e skemës deri në dhjetë vjet pas dhënies së ndihmës së fundit individuale. Përfituesit duhet të nënshkruajnë deklaratën e ndihmës “De-minimis” dhe ta dorëzojnë një kopje pranë Bashkisë Tiranë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›