E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada Levan-Vlorë, metodë e re hajdutërie

Nuk është as i ri dhe as i pa pritur fakti që një investim në Shqipëri nuk përfundon në afatin e caktuar dhe as fakti tjetër për abuzime dhe afera korruptive nga kjo qeveri që e ka zhytur vendin në krizë totale e nga ku mund të dilet vetëm me largimin e saj një orë e më parë. Rasti i autostradës Levan-Vlorë është vetëm një prej tyre, por më i paimagjinueshmi për nga mënyra se si është menduar të vidhen fondet, në një kohë kur punimet janë drejt përfundimit, në një rrugë që duhet të ishte bërë e shfrytëzueshme që para 3 vjetësh. Në një kohë kur bizneset janë më në vështirësi se kurrë dhe një pjesë e madhe e tyre kanë falimentuar ose janë drejt falimentimit, në kushtet kur ato vazhdojnë të mos paguhen nga shteti për punët e kryera, zbulohet një mënyrë tjetër grabitjeje, fare origjinale, dhe që nuk pretendon vetëm 30 % të financimit të tenderave, siç ka ndodhur e ndodh rëndom me firmat që marrin pjesë në këto konkurse, por një grabitje të pastër prej 100 % të masës së financuar, me përllogaritje e argumente qesharake. Me këtë metodë të re hajdutërie nuk ke më nevojë të organizosh tendera e të bësh një mijë akrobacira për t’iu përvjedhur syrit të opozitës, medias dhe opinionit publik për të favorizuar klientin e oborrit dhe për të larguar kompanitë serioze dhe korrekte. Jo, është fare e thjeshtë: Shpall fituese kompaninë e preferuar me të cilën i ndan lehtësisht paratë, duke i sugjeruar që të paraqitet me një ofertë minimale në raport me të tjerët, mbyll një sy kur vjen puna për respektimin e afateve ose cilësinë e punimeve dhe pak para prerjes së shiritit, për herë të 3-të apo të 4-t, i këput një shtesë financimi të projektit, i cili shkon si fitim i pastër për t’u ndarë midis hajdutëve. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për vlera e përqindje të vogla në raport me çmimin e tenderit të fituar, por për mbi 40 % të çmimit fillestar, siç ndodhi me rastin e autostradës Levan–Vlorë që diskutojmë sot, ku nga 42 milionë euro me të cilin kompania fitoi tenderin, kostoja reale e 24 km rruge shkoi papritur në rreth 60 milionë euro. E dëmshme për zhvillimin e zonës dhe gjithë Jugun kanë qenë e vazhdojnë të jenë vonesat për përfundimin e rrugës në afat. Dhe jo pak, por plot 2 vjet e gjysmë vonesë. Edhe pse ministri Olldashi deklaron në çdo fillim viti se rruga do të hapet në nisjen e sezonit turistik. Për tre vjet rresht përsëritet e njëjta deklaratë, ndërkohë që edhe ky sezon turistik e gjen Vlorën dhe Jugun e Shqipërisë në skaj të preferencave turistike për shkak të kësaj rruge.
Dhe asgjë nuk na duket e rastit kur dihet që të gjitha bashkitë e vijës bregdetare të Shqipërisë, nga ku kalon edhe ky aks rrugor i Jugut, drejtohen nga të zgjedhurit e majtë. Goditjen më të madhe e ka marrë zhvillimi i turizmit që nga derdhja e Vjosës, në Gjirin e Vlorës e përgjatë Bregut deri në Sarandë.
Lëvizja dhe qarkullimi i banorëve të zonës dhe pushuesve të shumtë, që nga hyrje–dalja e Fierit, aksi Fier–Levan, tërësisht jashtë standarteve për një rrugë nacionale, si dhe e ashtuquajtura autostradë Levan–Vlorë, e hapur vetëm në një kah të lëvizjes është kthyer në një ferr të vërtetë për ata që e marrin vendimin për të udhëtuar. Kjo rrugë, si shumë objekte të tjera në Shqipëri, është tipike një rrugë elektorale. Është inauguruar fillimi i punimeve para zgjedhjeve vendore të vitit 2007 në një fushë të hapur me praninë e një grushti njerëzish, ku vetëm dy kamionë dhe një ekskavator bënin paradë, si në kohën e komunizmit, para Kryeministrit me gërshërë në dorë. Rruga duhej të përfundonte në vitin zgjedhor 2009.
Po përse duhej të ngutej maxhoranca e sotme? Përse të mos e përdorte ndërtimin e kësaj rruge edhe për fushatën e vitit 2011, bile edhe atë të vitit 2013? Me këtë rast, sipas tyre, do të siguroheshin ca para për të financuar fushatat, do t’i bëhej një “nder i vogël” shërbëtorit të përulur të pushtetit që të mund ta nxjerrë “dacibaon” e tij, për ta ndërsyer kundër opozitës dhe atyre që guxojnë të dalin jashtë radhëve, si dhe për t’ua treguar vendin vlonjatëve për atë ç’u kanë punuar që nga ’96-ta e këtej.
Është e lehtë të konstatosh sot se nuk gjen në këtë vend një rrugë për të qenë dhe të përfunduar tërësisht. Pas prerjes rituale të shiritave, fillimit të zhurmshëm të punimeve dhe premtimeve të bujshme elektorale, kanë ardhur mungesa e financimeve nga ana e qeverisë, problemet në projekte dhe shpesh mungesa e projekteve, protesta e bllokime të banorëve ku kalon rruga për mospagim të shpronësimeve, shkelje pothuaj në të gjitha rastet e afateve të dorëzimit të objekteve dhe të cilësisë së punimeve. Po ashtu nuk ekziston asnjë aks rrugor pa probleme, me standarde bashkëkohore teknike, ku të jetë e organizuar mirëmbajtja dhe kontrolli i sigurisë në rrugë. Për fatin e keq, vendi ngjan me një trup me gjymtyrë të prera e bark të çarë, me zorrë përjashta e arterie të shkëputura në pritje të dorës së një kirurgu për ta rikthyer në jetë. Ministri dhe stafi i tij besoj se duhet ta dinë se edhe një pjesë e rrugëve që dikur ishin të qarkullueshme, edhe pse me standard të mjerë, sot janë pothuaj të pakalueshme. Ja, për shembull:
-Për të shkuar në Berat sot vështirë të kalohet si nga Lushnja, ashtu edhe nga Fieri nëpërmjet Roskovecit. Drejtuesit e mjeteve në hall kanë zbuluar një rrugë të ngushtë fshati që devijon nga autostrada Lushnje – Fier, duke kaluar nga Këmishtaj dhe del në Fier–Shegan për t’iu ringjitur aksit pothuaj të pakalueshëm drejt Beratit. Për të vajtur në Tropojën e Kryeministrit duhet të kalosh nga Kosova, nëpërmjet Prizrenit e Gjakovës, të kalosh dy herë kufirin shtetëror për të shmangur rrugën tradicionale që të shpie në Bajram Curr e Valbonën e magjishme, e cila është tërësisht e pakalueshme. Dalja nga autostrada Lushnjë–Fier (nëse mund të quhet e tillë) është e kalueshme vetëm në kohë të thatë, prej vitesh (!), sepse rënia e një vese shiu e kthen këtë vend në një liqen të vogël ku nuk mund të kalojnë as mjetet e rënda. Krahu i hapur i rrugës Levan–Vlorë (nuk mund ta quaj autostradë), në vendin ku rruga lidhet me urën e re mbi Lumin Vjosë është me shkallë, që prej një viti që kur është hapur ky aks dhe nuk merret asnjë masë për nivelimin e riparimin e 10 m2 rrugë. Kush nuk ka kaluar në këtë rrugë nuk mund ta besojë: një shkallë apo bordurë (quajeni si të doni) 10 - 15 cm, në hyrje dhe në dalje të urës, ku kanë lënë gomat apo amortizatorët sa e sa automjete, sidomos natën dhe është bërë shpesh shkak për aksidente.
Shembuj të tillë ka me qindra në rrugët e vendit tonë. Po të futesh më thellë në rrugët që lidhin komunat me qendrat e rretheve shembujt janë vërtetë të trishtueshëm.
Pjesa më e madhe e rrugëve, sidomos pas stinës së dimrit janë bërë tërësisht të pakalueshme dhe askush nuk kujtohet të vërë dorë. Strukturat e Qarqeve nuk kanë asnjë fond, i kanë suprimuar tërësisht strukturat e mirëmbajtjes së rrugëve dhe ndoshta ka ardhur koha të shikohet riorganizimi i tyre si hallka të ndërmjetme. Sjell si shembull një prej dy akseve kryesore rrugore që përshkojnë rrethin e Vlorës, rrugën përgjatë luginës së Lumit të Vlorës, apo të Shushicës, siç quhet në rrjedhën e sipërme të tij. Asnjë nuk dëgjon ankesat e banorëve të kësaj zone, asnjë nuk do t’ia dijë që prej vitesh kjo rrugë është bërë pothuaj e pakalueshme, pa folur këtu për degëzimet e saj e që lidhin zona të tilla si fshatrat e Velçës, Sevasterit, të Kurveleshit të Poshtëm e atij të Sipërm, deri sa del në Bregdet nëpërmjet Fterrës apo fshatit Çorrajt.
Edhe një nismë e komunitetit për të hapur një aks rrugor, me forcat e veta, që lidh fshatrat e Lumit të Vlorës me Bregun nëpërmjet fshatit Pilur në Himarë (11 km e gjatë) ka ndeshur në indiferencën e strukturave shtetërore, në vend që të japin edhe ata ndihmesën e tyre. Do të mjaftonin ato 18 milionë euro shtesë që po ndahen midis sekserëve të autostradës Levan–Fier që të realizohej rikonstruksioni i rrugës së Lumit të Vlorës, që lidh këtë zonë dhe krahinën e Kurveleshit me Bregdetin, ku kanë ngritur jetën rreth 100 fshatra me mbi 50.000 banorë.
Ky realitet i hidhur është shkaku kryesor i aksidenteve që ndodhin sot në Shqipëri. Çdo ditë mesatarisht një shqiptar humb jetën në rrugët e vendit, pa llogaritur këtu 3–4 fishin e atyre që lëndohen e dërgohen në spitale, e më pas nuk ka statistika për fatin e tyre. Që pas aksidentit të fundit në Himarë, ku humbën jetën 13 studente dhe drejtuesi i mjetit, edhe për shkak të rrugës aspak të përshtatshme për mjete të tilla të transportit publik, në një rrugë të ndërtuar për qëllime ushtarake para gati 100 vjetësh, kanë humbur jetën edhe dhjetëra të tjerë, siç ka ndodhur edhe pardje, edhe dje, edhe mbrëmë vonë në Rrugën e Kombit dhe ku rreziku për aksident në këto lloj rrugësh që po ndërton kjo maxhorancë është potencial dhe i mundshëm në çdo moment.
Sot, maxhoranca kërkon të legjitimojë nëpërmjet votimit shtesën e financimit edhe të mbi 40 % të kostos fillestare të kësaj rruge, me argumentet më absurde, deri te kërkesa për sistemimin e diferencave që vijnë nga inflacioni në tre vitet e fundit, në vend që firma zbatuese të përgjigjet me penalizime për vonesat në dorëzimin e veprës, për dëmin ekonomik dhe moral që i ka shkaktuar vendit dhe njerëzve nga mosshfrytëzimi në kohë i kësaj rruge. Unë nuk mund të jem kundër përfundimit sa më shpejt të kësaj rruge, sepse ja di rëndësinë dhe jetoj çdo ditë me ndjesinë e njerëzve që kërkojnë dhe kanë të drejtë për standarde më të larta në jetën e tyre. Por, nga ana tjetër, nuk mund të ngre dorën për të ligjëruar një vjedhje të hapur, në mes të ditës dhe që shkon në interes të rrethit të ngushtë të oborrit të pushtetit.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›