E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjizja zyrtare e gënjeshtrës publike

Duke iu kthyer edhe njëherë temës së vyer të gënjeshtrës publike që na vjen herë si dhuratë e herë si psikoterapi politike, sigurisht me burim më së shumti nga lart, nga zyra dhe nga goja kryeministrore, ia vlen, besoj, të hulumtohet se si ngjizet, si shpërndahet dhe përse “instrumentalizohet” gënjeshtra publike për t’u bërë ushqim sa më i pëlqyeshëm e sa më i gëlltitshim nga ajo pjesë e popullsisë që ende konsiderohet, njëlloj si në diktaturë, milet. Kështu, në këto ditë të vapëta, në një nga daljet e panumërta të Doktorit nëpër ekrane, na u tha dhe ritha, me zë e me figurë, se papunësia në Shqipëri, ndryshe nga e gjithë bota e keqkatandisur në krizë, tek ne, falë qeverisjes së suksesshme ka pësuar rënie jo vetëm të dukshme, por edhe “progresive”. Theksimi i qëllimshëm i fjalës “progresive” do të thotë se rënia e papunësisë nuk do të ketë të sosur, se papunësia tek ne po shkon, po vazhduam me këtë rritëm progresiv, drejt zhdukjes përfundimtare, duke shënuar kësisoj një tjetër rekord të ri botëror në sukseset tona të panumërta e të pafundme. “Kryefjalë e kësaj mbledhje është dhe do të mbetet krijimi i vendeve të punës si një nga qëllimet më madhore, për të mos thënë më kryesori i të gjitha reformave tona. Sot beteja për vendet e punës është beteja më kryesore që zhvillohet në Europë dhe në botë. Në Shqipëri, dy raporte më serioze ndërkombëtare faktojnë se papunësia jo vetëm nuk është rritur, por ka njohur ulje progresive…”, kështu deklaroi Berisha në mbledhje të qeverisë së tij, duke kërkuar të na bindë e të na mallëngjejë, teksa nuk lodhet kurrë së foluri e së garantuari…
Ngaqë Berisha mesa duket dyshon se nuk na bind përsa më sipër, ai brenda një dite nuk mënon të shfaqet e të deklarojë të njëjtat gjëra jo një, po disa herë! Kështu, nga mbledhja e qeverisë shkon në Durrës që të përurojë terminalin dhe aty përsëri deklaron sa më sipër, po edhe se ne nuk e paskemi rritur borxhin as një %, kurse vende të tjera e paskan dy e trefishuar, dmth e kanë kaluar mbi 100 e ca %! Nuk mund të mohohet, për shkak të bombardimit të përqendruar e të përsëritur mbi veshët, mbi sytë dhe mbi trurin e “miletit” ka ndër ne jo pak që besojnë se kryeministri përnjëmend po lodhet e po robtohet, -veç për të mirën tonë!-, aq sa të vjen të ulurish me vete: Si nuk u lodh ky njeri duke na bërë kaq të mira?...E pra, a jemi mirënjohës ndaj tij aq sa ai e meriton? Si mund t’ia shpërblejmë këtij udhëheqësi karizmatik, të palodhur e të panginjur me pushtet, gjithë këto të mira që po na sjell?
Ky efekt nuk ka si mos kryhet me sukses teksa dëgjon se ne ua paskemi kaluar edhe disa vendeve të BE-së, apo, si më poshtë ku: “…Reformat kanë bërë të mundur që Shqipëria të tërheqë për të tretin vit radhazi mbi një miliard dollarë investime të huaja dhe kjo ka rritur punësimin. E gjithë axhenda e ministrive tuaja duhet të riformulohet në përputhje më këtë interes jetik siç është punësimi”…E pra, ç’mund të bëjë më tepër një qeveri e një kryeministër për vendin e për popullin e vet punonjës?
Në paraqitjen e mësipërme të Kryeministrit vihet re jo vetëm që papunësia e paska marrë, më në fund, rrugën e….e zhdukjes përfundimtare (progresive), se tek ne kanë vërshuar investimet e huaja, disa miliardëshe, porse edhe organizmat ndërkombëtare jo me një, por me dy raporte, e paskan pranuar si të mirëqenë këtë realitet suksesesh dhe arritjesh të papara nëpërmjet reformave…Një dëgjues i pavëmendshëm nuk ka faj po të bjerë, pas këtij “bombardimi” në këtë përfundim “logjik” e të besojë , edhe në qoftë i papunë: Derisa edhe ndërkombëtarët, organet e tyre të specializuara, jo me një, po me dy raporte, e pohojnë me shifra këtë realitet, atëherë kjo “e vërtetë” nuk ka pse të vihet në dyshim! Se, afërmendsh, ne këtu, si qytetarë e zyrtarë, bashkë me organet, mediat dhe institucionet e varura e të pavarura, n’daç qeveritare, n’daç edhe OJF-ra, me gjasë nuk jemi në gjendje t’i shohim e t’i prekim këto arritje, ndaj jo vetëm që mund të mashtrohemi kollaj, por edhe mund të gënjejmë njëri-tjetrin për hiçmosgjë, si bën opozita dhe një pjesë e mediave të pavarura, ndërsa specialistët ndërkombëtarë dhe organizmat e tyre, kurrsesi jo!
Derisa kryeministri na sjell si provë kokëfortë dy raportet e të huajve dhe jo pa qëllim le mënjanë shifrat zyrtare të INSTAT-it, të Ministrisë së Financave dhe të Bankës Kombëtare, atëherë del se edhe ai e ka humbur besimin te të dhënat e këtushme zyrtare…Aq më tepër po të shohësh se edhe Banka, edhe Ministritë e Punës dhe Financave, madje edhe INSTAT-i janë organe e mekanizma që varen direkt e totalisht prej tij, ndërkohë na kanë dhënë të tjera shifra, jo kaq optimiste. Kështu, sa për t’u bërë më konkret, sipas INSTAT në vitin 2009 numri total i të punësuarve u ul me 75 mijë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa në vitet 2010- 2011 numri i të punësuarve ishte 57 mijë dhe 46 mijë më pak se në 2008-ën…Për të vazhduar edhe më tej: në mars 2012-ës paskësh 41 mijë të punësuar më pak se në vitin 2008!….E pra, pas këtyre shifrave modeste, natyrshëm lindin këto pyetje naive: Kush gënjen dhe kush e fut Kryeministrin tonë në këtë qorrsokak gënjeshtrash, organizmat vendore, apo ndërkombëtare?
Sigurisht as njëra palë dhe as tjetra nuk ka pse të bëhen me faj. Nuk mund të gjesh një Kryeministër të ngjashëm në botë që të luajë si zhongler me shifrat si luan Berisha, i cili, jo rrallë kundërshton edhe veten. Por tek ne nuk ka burrë dhe as institucion që të dalë e t’i provojë një gjë kaq të kollajtë: Që përroi hemorragjik i shifrave të tij nuk ka asnjë lidhje me realitetin, se shifrat e tij janë jo vetëm fiktive, një propagandë bajate, gënjeshtra “të lugës së florinjtë” të kohës së pas luftës së dytë botërore, por edhe një mënyrë efikase për të justifikuar e për të mbajtur sa më gjatë pushtetin me armët e mashtrimit masiv. Një nga shkaqet më thelbësore përse janë shembur perandoritë dhe diktaturat, edhe kur janë bërë superfuqi, është se ato janë ngritur mbi kështjella të manipulimit masiv, të cilat, ashtu si ranë piramidat tek ne në vitin 1997, një ditë do të shemben, duke sjellë tragjedi të pashembullta njerëzore e kombëtare. Nëse e besuam dhe e pësuam njëherë nga Berisha, kur na tha që “paratë e shqiptarëve janë të pastra”, si mund ta besojmë sërish kur nga thotë se ne qenkemi i vetmi vend në botë që nuk e njeh krizën dhe recesionin, që rrit pagat e pensionet? Po sikur të biem, për shkak të borxheve, në greminë e qeveria të mos ketë para as për pensionistët, a do të vijë bota të na ndihmojë e të na paguajë borxhin , si po bën me Greqinë, Italinë dhe Spanjën? Kjo pyetje ia vlen, kjo do të ishte politikë e dobishme, por fatkeqësisht askush nuk e merr në konsideratë, qoftë edhe formalisht.
***
Në çdo vend normal është qeveria dhe organizmat e saj që administrojnë punët publike në bazë të të dhënave, studimeve, financave, sondazheve, projekteve, planeve, shifrave analitike, strategjive kombëtare dhe interesit të përgjithshëm. Statistikat dhe inventari janë pasuri që nuk mund të tjetërsohen e të dalin jashtë këtij qëllimi, përndryshe zhvillimi, përparimi dhe qeverisja dalin jashtë funksionit e bien pashmangshmërisht në anarki. Prandaj kurrkund nuk mund të ndodhë që një kryeministër të dalë në publik e t’i japë si narkozë popullit, qoftë edhe për qëllime propagandistike apo edhe psikoterapike, shifra dhe “fakte” që burojnë jo nga brenda, sigurisht me përgjegjësi ligjore, por nga jashtë, nëpërmjet raporteve të ndërkombëtarëve, të cilat askurrkush “nuk mund të guxojë t’i vërë në dyshim”. Kështu ka ndodhur sa herë Berisha ndjehet keq e kur arrin të kuptojë ( a thua e ka këtë aftësi vetëkontrolluese, apo është në atë gjendje sa i beson edhe vetë ato që thotë?...) se është në pozitë tejet të vështirë. Sepse në cilin vend të Europës që ka rënë në krizë mund të ndodhë që kryeministri, psh ai italian, grek apo spanjoll të dalë e të thotë në publik se ka sukses, se papunësia është në rënie progresive, se ka rritje të pandërprerë ekonomike, se investimet e huaja janë të bollshme, se nuk është kapur nga kriza, meqë…meqë këtë po e thonë edhe raportet e disa organizmave ndërkombëtare?!
Sigurisht kjo është e papërfytyrueshme. Por as e logjikshme, sepse gënjeshtra do të ishte një risk e skandal i papërballueshëm e pse jo, edhe i pashlyeshëm. Revoltat popullore do të ishin në kulm. Sepse në fund të fundit qytetarët normalë e dinë se të dhënat nuk dalin e nuk prodhohen në asnjë rast artificialisht, nga jashtë, por më së pari nga brenda. Nuk ka e nuk mund të ketë “laboratorë” të tillë të ndërkombëtarëve që të pranojnë së jashtmi, së largu, së mëvetëshmi të monitorojnë dhe të analizojnë të dhënat e statistikat, nëse ato nuk janë marrë në terren e nuk kanë dalë nga organizmat qeveritare ose jo të vendit përkatës. Ky është një kriter shkencor që nuk mund të shkelet dhe që as mund të vihet në dyshim.
Një i tillë kryeministër që qëmton dhe sjell shifrat e suksesit nga jashtë, indirekt i thotë popullit se edhe ai vetë nuk ka pikë besimi te vartësit dhe te organet e tij qeverisëse, por edhe se vetë populli e ka humbur besimin te fjala e tij, ndaj ai detyrohet të zgjedhë një “të paanshëm”, një zëdhënës ndërkombëtar, i cili me gjasë do të bindë mosbesuesit me autoritetin e të pagabueshmit dhe të vërtetës shkencore. E pra, gënjeshtra publike e qeverisë kësisoj ka mbërritur në një stad më të lartë e ndoshta kjo ka për të qenë edhe shkalla e fundit e theqafjes: të gënjehet nëpërmjet ndërkombëtarëve.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›