Avancim i axhendës së integrimit, BSH dhe Banka Evropiane e Investimeve marrëveshje bashkëpunimi për financat e gjelbra

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI) nënshkruan sot një marrëveshje historike bashkëpunimi për zhvillimin e financave të gjelbra dhe për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme në Shqipëri.
Kjo marrëveshje, pjesë e Programit për Sistemet Financiare të Gjelbra të BEI-së, synon të forcojë qëndrueshmërinë e sistemit financiar shqiptar, duke integruar rreziqet klimatike në kuadrin rregullator dhe duke e përgatitur Shqipërinë për harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Programi përfshin zhvillimin e një taksonomie të gjelbër për klasifikimin e aktiviteteve ekonomike të qëndrueshme dhe mbështetjen e bankave për të mobilizuar fonde drejt projekteve të gjelbra, si dhe ndërtimin e kapaciteteve për menaxhimin e rreziqeve klimatike dhe përgatitjen e sektorit financiar për të zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare në financat e qëndrueshme.
Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi financiar që mbështet tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër dhe të qëndrueshme. Ajo ofron një bazë solide për forcimin e kapaciteteve të sektorit financiar shqiptar, ndërsa krijon mundësi për investime që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e rreziqeve klimatike. Për më tepër, ajo pasqyron rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të harmonizuar praktikat me standardet më të mira ndërkombëtare, duke i hapur rrugën Shqipërisë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të sigurt.
Nënshkrimi i marrëveshjes u mbajt në ambientet e Bankës së Shqipërisë në Tiranë, në prani të zëvendëspresidentit të EIB-së, Robert de Groot, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe shefit të Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr.
Ky bashkëpunim strategjik përbën një hap të rëndësishëm drejt realizimit të tranzicionit të gjelbër dhe avancimit të agjendës së Shqipërisë për integrimin në BE.
Në fjalën e tij, guvernatori Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024, ka ndërmarrë disa nisma të rëndësishme që dëshmojnë angazhimin tonë konkret, përfshirë analizën e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rreziqeve klimatike, e cila ka ndihmuar në identifikimin e rajoneve dhe sektorëve më të prekur, si dhe hartimin e Udhëzuesit për Menaxhimin e Rreziqeve Klimatike, i cili krijon një kornizë të qartë për bankat që t’i integrojnë këto rreziqe në sistemet e tyre të menaxhimit të rrezikut.
“Bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve është thelbësorë për të avancuar në tranzicionin tonë të gjelbër. Marrëveshja që nënshkruajmë sot është një hap konkret në këtë drejtim. Ajo reflekton përkushtimin tonë për të ndërtuar një sistem financiar në harmoni me praktikat më të mira evropiane dhe që ndihmon në arritjen e objektivave strategjikë të vendit. Taksonomia e gjelbër do të shërbejë si një udhërrëfyes për klasifikimin e aktiviteteve të qëndrueshme, duke ndihmuar në kanalizimin e fondeve drejt projekteve që kanë një ndikim pozitiv në mjedis dhe duke rritur transparencën për investitorët dhe institucionet financiare”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një gur themeli në bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë.
“Në kuadër të Programit të Sistemeve Financiare të Gjelbra të BEI-t, synojmë të krijojmë një mjedis financiar të favorshëm që do të kontribuojë dhe mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për kalimin në një ekonomi të gjelbër, do të ndihmojë në arritjen e objektivave të saj ambiciozë për reduktimin e emetimeve, do të mbështesë masat e përshtatjes dhe forcojë qëndrueshmërinë e vendit. Si banka e klimës e BE-së dhe një prej investitorëve më të mëdhenj në financat e gjelbra, presim me padurim të shohim ndikimin pozitiv që ky bashkëpunim do të ketë në zhvillimin ekonomik të vendit, qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë e tij, në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ai
Ndërkohë, shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, theksoi se Bashkimi Evropian në Shqipëri po mbështet forcimin e partneritetit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), banka e klimës e BE-së.
“Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes për zhvillimin e sistemeve financiare të gjelbra në Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në përafrimin e vendit me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe agjendën e saj për financat e qëndrueshme, e cila është gjithashtu pjesë e procesit të integrimit dhe negociatave të Shqipërisë me BE-në. Shpresojmë që ky program do të hapë mundësi të reja financimi dhe të nxisë investime të gjelbra midis kompanive shqiptare, duke i ndihmuar ato të adoptojnë strategji tranzicioni për të zbutur rreziqet klimatike. Si rezultat, kjo do të sjellë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe rezistente ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri. Kjo është në përputhje me përpjekjet më të gjera të BE-së në Shqipëri për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë, veçanërisht përmes Planit të Rritjes së BE-së”, vuri në dukje ai.
Gjatë vizitës në Bankën e Shqipërisë, zëvendëspresidenti Robert de Groot zhvilloi dhe një takim zyrtar me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi prioritetet strategjike të financave të gjelbra në Shqipëri. Më konkretisht, ai u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar shqiptar dhe për të adresuar sfidat klimatike, në përputhje me objektivat kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve, marrëveshje për financat e gjelbra, foto:... 1 nga 9/j.p/