E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avazi i vjetër

Federata e Futbollit e Serbisë (FSS) më në fund është deklaruar rreth takimit që do të mbahet të enjten (sot) në selinë e FIFA-së në Zurich, ndërmjet Sepp Blatterit dhe drejtuesve të futbollit kosovar.

Ashtu siç është pritur, drejtuesit e futbollit serb nuk do të marrin pjesë në këtë takim. Ata, nëpërmjet një komunikate, kanë treguar arsyet e refuzimit të ftesës së kreut të FIFAsë Sepp Blatter.

Që në fillim e theksojmë se teksti i kumtesës në fakt paraqet tekstin e letrës që organizata jonë ia ka dërguar FIFAs qysh më 26 tetor 2009. Njerëzit e organizatës botërore të futbollit kishin idenë për organizimin e njëlloj takimi të tillë, por Federata e Futbollit e Serbisë këtë gjë e refuzoi kategorikisht, thuhet në komunikatën e lëshuar nga FSS.

Ndër të tjera në këtë komunikatë thuhet se FSS gëzon edhe përkrahjen UEFAsë, e cila kundërshton organizimin e takimeve të tilla me përfaqësues jolegjitimë të një organizate inekzistente.

FSS ka publikuar edhe letrën të cilën i ka dërguar FIFAs, e cila gjithashtu i është dërguar edhe UEFAs. Në këtë letër drejtuesit e futbollit serb kanë treguar pse kanë vendosur ta refuzojnë takimin ndërmjet FIFAsë dhe FFKsë.

Në bazë të Statutit të Federatës së Futbollit të Serbisë, i cili është mbështetur nga ana e FIFA dhe UEFA, Federata e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë është anëtare e Federatës së Futbollit të Serbisë. Bashkë me Federatën e Futbollit të Vojvodinës, Federatën e Futbollit të rajonit të Serbisë Lindore, Federatën e Futbollit të rajonit të Serbisë Perëndimore dhe me Federatën e Futbollit të Beogradit, Federata e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë përbën themelin e Federatës sonë, si dhe të organizimit territorial të futbollit në Serbi, shkruan në letrën e FSS dërguar FIFAsë.

Ndër të tjera në këtë letër thuhet se selia e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Metohisë ndodhet në veri të Mitrovicës dhe atje mbahen mbledhjet e të gjitha organeve relevante të kësaj federate, derisa klubet nga Kosova dhe Metohia janë të përfshira në sistemin e garimit të Federatës të Serbisë.

Lidhur me ftesën tuaj për takim, i cili do të duhej të mbahej në hapësirat e FIFA në Zurich, do të dëshironim tju informonim se rreth kësaj çështjeje tashmë janë mbajtur konsulta në Federatën e Futbollit të Serbisë, me të gjithë faktorët relevantë brenda organizatës tonë futbollistike (Këshillin për Çështje Urgjente, Këshillin Ekzekutiv). Në bazë të qëndrimeve të aprovuara, ju njoftojmë se ne nuk kemi mundësi ta pranojmë ftesën tuaj për ardhje në takimin e propozuar, shkruan në fund të letrës së FFS, e cila i është dërguar FIFAsë.

FFK gati për takim

Pa marrë parasysh vendimin e FFS, delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të mërkurën është nisur drejt Zvicrës, ku të enjten do të takohet me zyrtarët më të lartë të FIFA-s.

Neve nuk na intereson a do të marrinë pjesë edhe serbët apo jo. Me këtë çështje do të merret FIFA, e cila i ka bërë ftesat. Federata kosovare dhe ajo serbe nga Blatter janë ftuar si dy federata të barabarta. Ne do të marrim pjesë, edhe nëse pala serbe nuk merr pjesë në takim, deklaroi për Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Ai përsëriti sërish se delegacioni kosovar në këtë takim do ti parashtrojë katër kërkesa, të cilat janë parashtruar në FIFA e UEFA edhe në të kaluarën.

Kërkesa jonë e parë dhe primare është pranimi i Kosovës në FIFA e UEFA. Së dyti, ne do të kërkojmë që klubet kosovare të lejohen të marrin pjesë në garat evropiane deri në pranimin e plotë të Kosovës në FIFA e UEFA. Kërkesa jonë e tretë është që të lejohet përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore me kombëtaret e huaja. Dhe kërkesa e katërt është që të jepen certifikatat për transferimin e futbollistëve nga Kosova në klubet e huaja, theksoi Salihu i cili beson se kërkesat e FFK-së janë të drejta dhe se FIFA duhet ti pranojë.

Dokumentacioni ynë, me të cilin patëm aplikuar për pranim në FIFA, është i përbërë prej 300 faqesh. Ne edhe në këtë takim do ta dorëzojmë atë dokumentacion. Pos asaj, ne kemi mbledhur edhe disa argumente tjera. Do ti dorëzojmë edhe disa video-xhirime, vazhdoi ai.

Ky takim është i pari zyrtar që zhvillohet ndërmjet udhëheqësve të FIFA-s dhe krerëve të futbollit kosovar, i cili mbahet nga ora 15:00 në selinë e FIFA-s në Zurich.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›