Aviacioni civil/ Et’hemaj: Shqipëria drejt aviacionit të pavarur nga karburantet fosile. Në maj hapen 5 terminale të reja

Drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj, ka folur në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” mbi sfidat dhe zhvillimet e sektorit të aviacionit civil në vend, duke u ndalur te ndikimi i krizave ndërkombëtare, rritja e turizmit dhe investimet në infrastrukturë.
Duke iu referuar situatës në Lindjen e Mesme dhe luhatjeve globale, Et’hemaj theksoi se varësia nga karburantet tradicionale mbetet një nga rreziqet kryesore për sektorin. Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar i aviacionit po punon për zhvillimin e karburanteve bio dhe organike, të cilat pritet të ndryshojnë ndjeshëm industrinë në të ardhmen.
Ai theksoi se për një periudhë 3 vjeçare do nisin të përdoren dhe në Aeroportin e Tiranës.
“Jemi në fazë certifikimi dhe besoj se në 2–3 vitet e ardhshme këto karburante do të nisin të përdoren edhe në aeroportin e Tiranës. Synimi është që gradualisht përdorimi i tyre të rritet dhe në 20–25 vite aviacioni civil të bëhet më i pavarur nga energjia fosile”, u shpreh Et’hemaj.
Sipas tij, aktualisht kriza ndërkombëtare nuk ka ndikuar ndjeshëm në sektor, por një përshkallëzim i saj do të kishte patjetër impakt.
Et’hemaj vuri në dukje se aviacioni civil ka qenë një nga shtyllat kryesore të rritjes së turizmit në pesë vitet e fundit. Sipas statistikave të tij, rreth 87% e turistëve në Shqipëri mbërrijnë përmes ajrit, ndërsa në vitin 2019 kjo shifër ishte rreth 18%, duke treguar një rritje të ndjeshme të këtij sektori.
“Ndërlidhja ajrore është rritur me rreth 56%. Sfida kryesore sot është menaxhimi i kapaciteteve pa cenuar sigurinë dhe pa krijuar vonesa operacionale”, tha ai.
Ai shtoi se rritja e shpejtë e turizmit nuk ishte parashikuar në përmasa të tilla në strategjitë e mëparshme.
Duke folur për infrastrukturën, Et’hemaj bëri të ditur se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është përballur me një rritje të madhe të trafikut ajror.
“Aeroporti ishte projektuar për rreth 4.5 milionë pasagjerë në vit, ndërsa vitin e kaluar arriti në 11.6 milionë dhe këtë vit pritet të shkojë në 13.2 milionë pasagjerë”, u shpreh ai.
Sipas tij, për të përballuar këtë rritje janë zgjeruar terminalet, ndërsa së shpejti pritet hapja e pesë terminaleve të reja për nisje. Po ashtu, janë futur sisteme inovative si e-gates, që synojnë të rrisin efikasitetin dhe shpejtësinë e shërbimeve.
Et’hemaj e cilësoi zhvillimin e aviacionit civil shqiptar si një “histori suksesi”, duke theksuar se investimet dhe rritja e kapaciteteve janë çelësi për të përballuar kërkesën në rritje të pasagjerëve dhe turizmit.
/rtsh.al/