Avokatët e Krasniqit dhe Selimit: Do ta apelojmë vendimin

PRISHTINË, 16 shtator/ATSH/ Mbrojtja e Rexhep Selimit, e udhëhequr nga avokati Geoffrey Roberts, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ku Selimi u dënua me 13 vjet burgim.
Në një deklaratë të shkurtër për media, Roberts tha se mbrojtja është e zhgënjyer me vendimin, por theksoi se bëhet fjalë për aktgjykim të shkallës së parë.
I pyetur për gjendjen e Selimit pas shpalljes së aktgjykimit, Roberts tha se kishte takuar klientin e tij dhe kishte diskutuar me të për vendimin, por nuk pranoi të japë detaje të tjera.
“Më vjen keq, nuk do të pranoj pyetje. Jam takuar me z. Selimi dhe kemi diskutuar për aktgjykimin, por nuk do të jap më shumë detaje”, tha Roberts.
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si zhgënjyes.
Ajo ka thënë se synimi i mbrojtjes mbetet lirimi i Krasniqit teksa shtoi se procesi ende nuk ka përfunduar.
“Aktgjykimi tashmë na e ka bërë të qartë se disa prova ose nuk janë marrë parasysh, ose nuk u është dhënë pesha e duhur. Ne do të apelojmë aktgjykimin. Qëndrimi ynë është se i vetmi rezultat i këtij gjykimi duhet të jetë shpallja i pafajshëm e z. Jakup Krasniqi për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ajo.
Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi lidhur me akuzat për krime lufte.