E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit: Banorët e nxjerrë nga shtëpitë e pronarëve smarrin dot kredi dhe as banesa sociale

totozaniAvokati i Popullit, Igli Totozani ka reaguar pas situatës së krijuar në një godinë të Tiranës, e cila po lirohet për tiu dorëzuar pronarit të saj, pas një akti normativ të qeverisë shqiptare.

Totozani tha se në këtë rast është përdorur dhunë ndaj qiramarrësve si dhe janë përdorur armët e zjarrit nga policia private, e shoqëruar nga punonjës të Policisë së Shtetit.

Totozani tha se ata e kanë kundërshtuar këtë akt normativ, pasi nuk bien dakord që familje të tëra të hidhen në mes të katër rrugëve.

Dëmi psikologjik që i shkaktohet familjeve në këto kushte është i pariparueshëm, jo vetëm për to, por për gjithë shoqërinë shqiptare, e cila aspiron standarde reale të ushtrimit dhe garantimit të së drejtës për strehim të çdo individi. Nuk mundet që familje të cilat kanë individë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të moshuar të moshë të thyer, fëmijë e të rritur pa asnjë mundësi financiare për të përballuar qoftë edhe jetesën minimale, të trajtohen në këtë mënyrë, tha Totozani.

Sipas tij, prokuroria duhet të nisë hetimet pasi ka raste kur është abuzuar me këtë akt normativ.

Totozani deklaroi se banorët e larguar nga shtëpitë nuk mund të marrin as kredi dhe as banesa sociale, ashtu siç u ishte premtuar.

Nga ndjekja nga afër e këtij problemi na rezulton se ish- pronarët po marrin pronat e tyre, por qiramarrësit në banesat e tyre nuk mund të përfitojnë në një pjesë të madhe të tyre, as kredi me interes 0% dhe afat kohor 30 vjeçar nga shteti, as banesa sociale nga ana e pushtetit vendor dhe për më tepër qendrat e përkujdesjes për moshat e treta nuk kanë mundësi pasi nuk kanë kapacitet për të akomoduar individë të moshuar qiramarrës që duhet të lirojnë në këto kushte banesat e ish- pronarëve.

Avokati i Popullit tepër i shqetësuar nga kjo situatë i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të miratojnë shumë shpejt bazën ligjore, e cila do të mundësojë trajtimin individual, specifik për secilën familje qiramarrëse në banesat e ish-pronarëve, tha Totozani./ep

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›