E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Ndërhyrja e policisë, e panevojshme

Avokati i Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me dhunën e ushtruar në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.

“Intervenimi i policisë, përzgjedhja e mjeteve dhe e metodave si dhe përdorimi i dhunës gjatë protestës në Podujevë dhe te Dheu i Bardhë, nga Avokati i Popullit konsiderohet si i panevojshëm, i pajustifikueshëm dhe joproporcional”, thuhet në një deklaratë të këtij institucioni.

Në deklaratë thuhet se “dhuna e pjesëtarëve të njësisë speciale është përdorur edhe gjatë transportimit të të arrestuarve, madje edhe në stacionin policor në Podujevë, në praninë e përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, të cilët në një moment janë kërcënuar dhe penguar në kryerjen e punëve të tyre nga ana e pjesëtarëve të njësisë speciale”.

“Përgjithësisht, në fillim arrestimet janë bërë në mënyrë përzgjedhëse, me fokus të veçantë tek organizatorët, sidomos deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të pranishëm në protestë, ndaj të cilëve është përdorur dhunë, e përcjellë me veprime degraduese dhe poshtëruese”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›