E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohja e Kosovës, Pacolli vizitë në Tunizi

Zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli ka udhëtuar drejt Tunizisë për të lobuar për njohjen e pavarësisë së saj nga ky shtet. Lajmi bëhet i ditur nga zyra për shtyp e Zv.kryeministrit e cila thekson se në kuadër të angazhimit diplomatik për njohje të reja për Kosovën, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, z.Behgjet Pacolli, ka udhëtuar në Tunizi, me ftesë të partisë kryesore në këtë shtet, Hizb al Nahdah.
Sipas deklaratës për shtyp, zëvendëskryeministri Pacolli, do të pritet në një drekë pune, nga lideri i kësaj partie Rashid al-Ghannushi, me të cilin do të diskutojë për njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës dhe fillimin e bashkëpunimit diplomatik ndërmjet dy vendeve.
Kjo është vizita e tretë, që zëvendëskryeministri Pacolli zhvillon në Tunizi, ndërsa marrëdhëniet e shkëlqyera me partinë "Hizb al Nahdah", dhe liderin e saj Ghannushi, kanë filluar që në gusht 2011, para zhvillimit të zgjedhjeve të lira në Tunizi.
Partia e z.Ghannushi është partia fituese e zgjedhjeve në Tunizi, pas rënies së regjimit diktatorial të z.Ben Ali.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›