Axhenda e z. Obama
NGA SHTYPI AMERIKAN
Çfarë shkruanin dje: “New York Times”, “Financial Times”, “Wall Street Journal”:
4 Nëntori i vitit 2008 shënon një datë që do të mbahet në mend përgjithmonë, por a shënon kjo datë edhe një pikë kthese në substancën e politikës amerikane? Po. Kështu nis shkrimi në të përditshmen amerikane “New York Times”. Mbajeni në mend gjithashtu se zgjedhjet e sivjetme presidenciale ishin një referendum i qartë mbi filozofitë politike dhe filozofia përparimtare ishte ajo që fitoi, shkruan “NYT”-ja.
E përditshmja tjetër, “Financial Times”, shkruan se në vitet e fundit, kundërshtarët më të mëdhenj të Amerikës nuk ishin Al Qaeda, Korea e Veriut apo Irani. Kërcënimi strategjik ndaj fuqisë amerikane ka ardhur nga anti-amerikanizmi në rritje dhe zgjedhja e Barack Obamës e ka çarmatosur këtë ndjenjë.
Bota nuk ka mundur të votojë në zgjedhjet amerikane, por ajo e ka kuptuar rëndësinë thelbësore të rezultateve, shkruan gazeta. Këtu edhe mund të thuhet se qëndron gjenialiteti i zotit Obama: sikurse jashtë, ashtu edhe brenda Shteteve të Bashkuara - ai ka dëshmuar se është një politikan i rrallë që fton të tjerët të zbulojnë në të prioritetet dhe preokupimet e tyre.
Zotimet e presidentit të ri, për angazhim dhe bashkëpunim, flasin për një mirëkuptim se Amerika ka nevojë të grumbullojë sa më shumë miq për të mposhtur armqitë dhe se rregullat e një sistemi ndërkombëtar mund të imponohen edhe tek vendet më të brishta, nëse ato vëzhgohen dhe respektohen nga më të fuqishmit, shkruan “FT”-ja.
Në këtë kuadër, të përditshmet ndërkombëtare i kanë kushtuar një vëmendje të posaçme edhe sfidave përballë zotit Obama, në raport me Moskën.
E përditshmja “Wall Street Journal”, shkruan se presidenti i sapozgjedhur duhet ta bëjë të qartë se një Amerikë e udhëhequr nga ai, nuk do të lejojë të keqtrajtohet nga shpërthimet kërcënuese të liderëve rusë dhe se do të jetë një partner i qëndrueshëm për aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë.
Çdo shenjë dyshimi nga administrata e ardhshme në këtë pikë, mund të nxisë drithërima tek aleatët e NATO-s dhe të trimërojë edhe më shumë sjellje të këqija nga Rusia dhe të tjerët. Kremlini, madje, shkruan gazeta, është duke i bërë nder zotit Obama, duke e testuar aq herët.
Dhe, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të kenë marrëdhënie të mira me Rusinë, e cila ngulfat lirinë politike dhe kërcënon demokracitë fqinje.
Fatmirësisht, Amerika ka ndërtuar aleanca të fuqishme me vendet e lira evropiane, të cilat tani janë të gatshme të mbrojnë Amerikën dhe Evropën nga kërcënimet e pabesa me raketa. Do të ishte mirë që presidenti i ardhshëm ta thoshte se qëndron prapa këtyre aleancave, shkruan në fund “WSJ”-ja.