E Shtunë, 31 Tetor 2026

Axhendë e zgjedhur për skenën e Teatrit të Operas

SHKRUAN: Aida Tuci 26-01-2011 11:25

Skena e Teatrit të Operas dhe Baletit do t’i japë pak ngjyra kryeqytetit. Gjatë këtyre ditëve axhenda e drejtorit Zhani Ciko është e ngjeshur me larmi aktivitetesh. Rikthehet baleti “Dhimbje dhe dashuri”, me muzikë nga veprat e Frederik Shopenit, nën interpretimin e balerinëve shqiptarë Enada dhe Gerd Vaso. Skena e baletit nis në një nga sallonet parisienë, ku të ftuarit nga bota mondane kërcejnë ritmin e muzikës melodioze të Shopenit, i cili ndonëse nën vuajtjet e sëmundjes përjeton njëherësh suksesin e muzikës së tij. Në mes të ballos hyn një miku i tij, i cili i dorëzon një letër ku i bëhet e ditur se në Poloni ka shpërthyer revolucioni. Tronditet dhe pse miqtë e tij mundohen ta qetësojnë. Ai kërkon vetminë dhe në tronditjen dhe trishtimin e tij imagjinon gjithçka po ndodh me vendlindjen e tij. I frymëzuar nga shqetësimi kushtuar kësaj ngjarjeje, ai kompozon Etydin e famshëm e shpërthyes. Enada dhe Gerd Vaso, balerinët e parë të Teatrit të Operës dhe Baletit, risjellin tingujt e Shopenit pas një karriere të suksesshme në "Don Kishoti", "Hirushja", “Arrëthyesi", "Katedralja e Parisit', "Liqeni i mjelmave", "Bajadera", "Halili dhe Hajria", "Gjergj Elez Alia", "Plagët e Gjergj Elez Alisë", "Hamleti", "Ledi Makbeth", "Mulerush", "Gladiator" etj. Më 28 janar një tjetër event: pianistja Almira Emiri do të japë një koncert recital në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Almira Emiri ka studiuar për piano në Shqipëri dhe jashtë shtetit. Gjatë studimit të saj në Graz të Austrisë, në vitin 2007 Emiri krijoi një trio, të cilën e pagëzoi me emrin "Babameto", duke dashur të ruajë kështu emrin e familjes së gjyshes. Si muzikante e muzikës së dhomës, ajo ka dhënë disa koncerte në vende të ndryshme të Europës dhe ka marrë pjesë në shumë klasa masteri me Alexander Satz, Dimitri Bashkirov, Rohman Imre, Rudolf Kehrer, Ludmilla Lazar dhe Vitaly Margulis. E si për të ndryshuar paksa traditën, më 30 janar aktorja Ema Ndoja, mezzosopranoja Vikena Kamenica, shoqëruar nga pianistja Merita Rexha, do të interpretojnë në Teatrin e Operës dhe Baletit poezitë e W. Muellerit të titulluar “Udhëtim dimëror”, të shqipëruar nga përkthyesi Ardian Klosi. “Udhëtim dimëror” është një cikël i përbërë nga 24 poezi të shkruara nga Wilhelm Müller, të njohura si një cikël këngësh të përpunuara nga Franc Shuberti për vokal dhe piano.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›