“Shqiptari”- filmi më i mirë në Gjermani
Filmi “Shqiptari”, i regjisorit gjerman Johannes Naber, është vlerësuar me çmimin e parë në edicionin e 32-të të Festivalit Max Ophüls, që si çdo vit u mbajt në Sarrebruck nga data 17-23 janar. Juria e këtij eventi, që ka si qëllim të zbulojë talentet e kinematografisë gjermanofone, ka vendosur që Çmimi i Parë Max Ophüls për filmin më të mirë t’i jepet prodhimit gjermano-shqiptar “Shqiptari”, me regji të Johannes Naber. Vendimi i jurisë ka qenë i vështirë, duke parë kualitetin e filmave që u prezantuan në këtë festival, por juria e përbërë nga Dani Levy e nga fituesi i një viti më parë, Maximilian Erlenwein, ka vlerësuar qasjen politiko-sociale të filmit përtej ashpërsisë me të cilët rrëfehen emocionet e rrugëtimit të vështirë të një shqiptari që emigroi në Gjermani për të gjetur paratë, për të bërë pajën e vajzës që dashuron, me të cilën do të martohet. Regjisori Johannes Naber me filmin e tij “Shqiptari” mori dhe çekun e fituesit prej 18 000 eurosh. Në etiketimin për çmimin e fituesit të këtij festivali shkruhet: “I jepet Çmimi i madh i Festivalit filmit ‘Shqiptari’ për mënyrën koherente të të rrëfyerit dhe kinematografisë së veçantë që paraqet historia e një shqiptari të dëshpëruar që emigron në Gjermani për të siguruar para për t’i bërë pajë vajzës që dashuron”. Ndërkohë, çmimi special i jurisë iu dha filmit austriak “Inside America” (Brenda Amerikës) nga Barabra Eder, për portretizimin ndryshe të ëndrrës amerikane, që paraqitet përmes të përditshmes në një lice në Teksas, për virtuozitetin e regjisë së saj dhe përqasjen e një filmi artistik që duket se flirton me dokumentarin. Vlerësime speciale u dhanë edhe për filmin “Tage die bleiben” (Ditët që mbeten), në të cilin gjermania Pia Strietmann jep një vështrim të errët por të plotë të humanizmit dhe emocioneve të një familjeje në zi; si dhe për filmin “180 gradë” me regji të Cihan Inan, film që përmes një montazhi ritmik dhe strukture moderne jep jetët e 4 njerëzve që ndërthuren në një moment të caktuar. Ndërsa Sarah Horvath dhe Burak Yigit morën çmimin e aktorëve më të mirë. Regjisori i filmit, Johannes Naber, e ka realizuar filmin e tij mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Në Shqipëri zgjodhi Tropojën si shesh xhirimi të filmit të tij, pasi protagonisti i filmit është një emigrant shqiptar nga kjo zonë në veri të Shqipërisë, që interpretohet nga aktori shqiptar Nik Xhelilaj. Historia e të riut shqiptar që emigron për të siguruar një shumë parash për t'u martuar me vajzën që dashuron, është një histori e shkruar nga 5 autorë, mes të cilëve Andeta Spahivogli dhe regjisori i filmit, gjermani Naber. Aktori 27-vjeçar Nik Xhelilaj, i cili ka qenë protagonist dhe në dy filma të tjerë: "Trishtimi i zonjës Shnajder", i regjisorit Piro Milkani; dhe "Gjallë", i regjisorit Artan Minarolli, realizuar vitet e fundit, me interpretimin në filmin “Shqiptari” u shpall dhe në listën e 10 aktorëve të rinj më të mirë në Europë. Në role të tjera interpretojnë: Xhejlane Terbunja, Ivan Shvedoff, Amos Zaharia, Stipe Erceg, Çun Lajçi, Luan Jaha, Fatime Lajçi, Vasillaq Godo, Eva Lobau, Andre Hennicke, Tomek Noeicki, Young-Shin Kim, Yllka Mujo, Guljem Radoja, Bruno Shllaku, Julian Deda. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, duke filluar nga muaji gusht do të fillojë shfaqjen falas për publikun të filmave që ruhen nga ky institucion dhe që janë shfaqur ndër vite në kinematë shqiptare.