Azilkërkuesit e rremë, rrezikohet rikthimi i vizave
Ministrat e Brendshëm të BE-së po diskutojnë sot në Luksemburg për mundësinë e pezullimit të përkohshëm të së drejtës për të qarkulluar pa viza për shtetasit e disa vendeve të Ballkanit.
Sipas të dhënave që vijnë nga BE në tetë muajt e parë të këtij viti 4.300 persona kanë aplikuar për azil politik në Gjermani.Fluksi nga vendet e tjera të Ballkanit, veçanërisht nga Maqedonia, ishte gjithashtu në rritje në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së, thanë zyrtarët .
27 minsitrat e Brendshëm të BE-së thanë se shumica e azilkërkuesve janë romë Ciganë, të cilët janë emigrantë ekonomikë.
Në Gjermani, azil-kërkuesit marrin mbi 400 euro në muaj, që është më shumë se paga mesatare mujore në shumicën e vendeve të Ballkanit, po ashtu edhe përpunimi i aplikimeve të tyre zgjat për disa muaj. Ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich tha se vendi i tij ishte duke vënë Serbinë dhe Maqedoninë në një listë të “vendeve të sigurta”, të cilave nuk do tu lejohet aplikimi për azil politik.
Situata është e ngjashme edhe në vendet e tjera të BE-së, disa prej të cilëve po konsiderojnë rivendosjen e vizave për vendet e Ballkanit, të cilat janë hequr dy vjet më parë.
Por ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Heinz Ëilhelm u ka thënë mediave se rikthimi i vizave do të ishte një “katastrofë” për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndaj dhe duhet të konsiderohet si mjeti i fundit.
Ai tha se vendet e BE-së do të duhet të punojnë ngushtë me qeveritë vendore për të gjetur mjetet e nevojshme për të ndalur fluksin e azilkërkuesve të rremë.