B92 bën lajmin: Shëtitje e serbëve në qendër të Prishtinës!
.jpg)
Portali serb B92 sot në ballinën e vet ka postuar një lajm që atij i duket shumë i çuditshëm. Lajmi me titullin “Shëtitje serbe në qendër të Prishtinës i ofrohet lexuesit si një ngjarje sensacionale dhe duke e paraqitur këtë “shëtitje serbe” si të parën që nga vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe pas largimit të forcave serbe nga Prishtina.
Këtë serbë, të cilët B92 i prezanton si të shpërngulur, pasi kanë marrë pjesë në festën e qytetit organizuar në Tempullin e Shën Nikollës, kanë gjezdisur nëpër Sheshin Nëna Tereze dhe nëpër rrugë të tjera të kryeqytetit tonë.
Në shëtitje, e cila ka përfunduar e qetë, thotë B92, kanë marrë pjesë dhjetëra serbë.
Kryetarja e Valleve të Motrave serbe Zaga Pavloviq i ka thënë kësaj agjencie se “serbët janë të kënaqur që po shëtisin nëpër qytetin e vet dhe se shumica e tyre me shumë qejf do të ktheheshin në vendet e vjetra të punës porse, për fat të keq, në qytet pak kë njohin”.
Serbët disa herë janë ndaluar nga të njohurit e tyre, shqiptarë të Prishtinës, me të cilët kanë evokuar kujtime nga jeta e para luftës, thotë B92.
Shëtitja ka përfunduar para ndërtesës së Qeverisë prej nga një grup me autobus është larguar për në Beograd ndërsa serbë të tjerë kanë vizituar varret serbe të Prishtinës.
Mbi 100 serbë kanë marrë pjesë në liturgjinë që është mbajtur në Tempullin e Shën Nikollës.
B92 thotë se në Prishtinë para lufte kanë jetuar 42 mijë serbë e tani kanë mbetur 50 sish!
Sigurisht B92 i ka numëruar forcat ushtarake e policore të Serbisë që kishin ardhur në Kosovë “për të paqësuar shqiptarët” para lufte./Indeksonline/