BAKU – Yzeiraj: Shqipëria dhe Azerbajxhani kanë potencial të madh për bashkëpunim

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ – Shqipëria dhe Azerbajxhani kanë potencial të madh për bashkëpunim, deklaroi zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, në një intervistë për Oxu.az.
“Ekzistojnë marrëdhënie të forta dhe në zhvillim mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Baza e këtyre marrëdhënieve në vitet e fundit ka qenë projekti i Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Ky projekt, i cili nis nga rajoni i Kaspikut dhe shtrihet përmes Shqipërisë drejt Italisë, është i një rëndësie strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën Lindore, Qendrore dhe Jugore”, deklaroi ai në kuadër të takimeve vjetore të Grupit të Bankës Islamike për Zhvillim (IsDB) të mbajtura në Baku.
Ai vuri në dukje se ekziston një potencial i gjerë bashkëpunimi në fushat e turizmit, energjisë, transportit dhe kulturës për zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
“Përveç kësaj, ne po punojmë aktivisht për të zgjeruar më tej marrëdhëniet tona. Aktualisht, një nga prioritetet tona kryesore është hapja e një fluturimi direkt mes Tiranës dhe Bakusë. Vitet e fundit, Tirana dhe Shqipëria në përgjithësi janë kthyer në një destinacion turistik në zhvillim e sipër në mënyrë dinamike. Ne duam të forcojmë më tej marrëdhëniet tona me Azerbajxhanin dhe popullin e tij, si dhe të rrisim shkëmbimin e përvojës në sferën e turizmit. Kemi një përvojë të pasur që mund ta ndajmë në krijimin e itinerareve të reja turistike dhe në rritjen e flukseve turistike”, deklaroi Yzeiraj.
“Azerbajxhani, veçanërisht Bakuja, është kthyer në një qendër të rëndësishme konferencash dhe biznesi ku mbahen aktivitete ndërkombëtare. Shqipëria është gjithashtu një destinacion turistik me zhvillim të shpejtë në mbarë rajonin e Mesdheut. Në këtë drejtim, ka mundësi të gjera për bashkëpunim në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe”, theksoi ai.
Zëvendësministri vuri në dukje se një tjetër faktor i rëndësishëm që lidh dy vendet është trashëgimia e përbashkët historike dhe kulturore.
“Ne kemi disa përvoja të përbashkëta dhe lidhje kulturore që lidhen si me periudhën socialiste, ashtu edhe me trashëgiminë osmane. Kjo trashëgimi e përbashkët do të ndihmojë në zhvillimin e bashkëpunimit të ardhshëm dhe do të krijojë mundësi shtesë për ne” , tha ai.
“Bashkëpunimi ynë në sektorin e energjisë gjithashtu vazhdon. Vitet e fundit kemi punuar për një projekt për gazifikimin e qytetit të Korçës, një nga rajonet më të ftohta dhe më malore të Shqipërisë. Korça konsiderohet si një qytet pilot në këtë drejtim dhe është planifikuar që gazi natyror të furnizohet nga Azerbajxhani. Diskutimet për projektin janë në vazhdim e sipër. Kjo është një iniciativë shumë e madhe dhe e rëndësishme, ndaj ka çështje të shumta teknike që presin zgjidhje”, shtoi ai
“Ne kemi zbuluar vetëm pjesën e dukshme të marrëdhënieve tona dhe synojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie edhe më tej. Prioriteti kryesor është që vendet tona ndajnë një vizion të përbashkët për një rend botëror të bazuar në paqe dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Besoj se kjo qasje themelore do të formojë bazën e bashkëpunimit tonë në të ardhmen”, përfundoi Yzeiraj./