BARDHULI
• Edison YpiBardhuli e mori haberin në mbrëmje: Kishte vdekur gruaja e xhaxhait të nuses ! S’ishte ndonjë qamet i madh, se xhaxhesha me kohë u kish’ lënë shëndenë të 90-ave dhe një ditë do vdiste, por, si e do Zakoni, të nesërmen duhej patjetër të shkonte në varrim. Atë natë nuk vuri gjumë në sy. Duke u rrotulluar në shtrat, kujtoi e rikujtoi të gjitha si në një film ku sekuencat përsëriten rrëmujshëm duke i kaluar para sysh të ngadalësuara dhe të shpejtuara, duke lëvizur mbarë dhe mbrapsht; ikjet dhe ardhjet nga Greqia nëpër male, nëpër natë, plot rreziqe, punën e rëndë, kursimet, gruan, pesë fëmijët, tre vajza dhe së fundi dy djem binjakë, përbuzjen e grekëve, talljet e shokëve, etj, etj. Por s’ishte shumë e rëndësishme çfarë i kishte ndodhur në Greqi, se kurbet hesapi. Për Bardhulin, jeta e të cilit mbështetej në shtyllat e thjeshta, puno, fito, gdhiu, ngrysu, mbars gruan, rrit fëmijët, vdis, rëndësi kishte; Pse në fshat e quanin “të lojtur” ?!Nuk kishte vënë dorë kurrë mbi askënd. Nuk kishte ndërhyrë kurrë në ndonjë nga ato meseletë e ngatërruara të katundit me prona, intriga, ilakara. Nuk merrte kurrë borxh. Nuk i kishte hyrë kurrë kurrkujt në hesap. Megjithatë të gjithë i largoheshin sikur t’i kishte bërë të tëra të ligat e katundit dhe të gjitha të zezat e botës. Bardhuli e dinte se bashkëfshatarët i bënin xheste tallëse pas shpine. Tërbohej, por s’kishte ç’të bënte. Me kalimin e viteve ishte mësuar me këto tallje. Por nuk mund të lejonte ta tallnin të gjithë ! Baxhanakun për shembull, atë me gratë motra, atë qejfliun buzagazin çakërrqefin. Si dhe kunatin. Pra njerëzve të afërt të cilët e njihnin dhe i njihte mirë, atyre nuk mund t’ua falte që e tallnin. Kishte bërë llaf me ‘ta disa herë. Para ca kohësh në Greqi, ata të dy, e rrahën. Këtë Bardhuli s’mund ta harronte ! Si dhe një herë tjetër në Shqipëri, një natë, mes duhmave të rakisë, rrëzëllimit tinëzar të gotave, kërcitjes së frikshme të pirunëve, bulçive të mbushura me mish, dhjamërave, gromësimave, syve të skuqur dhe tymit të mejhanes. Kishin qenë të tre: Bardhuli, baxhanaku dhe kunati. Atë natë ishte hapur një muhabet paksa delikat, përmbajtja e të cilit nuk u bë kurrë e njohur. U duk sikur u harrua, por Bardhulit i mbeti gozhdë në tru. Të nesërmen u ngrit herët. Drejt në Elbasan. U soll nja dy orë si hije nëpër mugëtirën mëngjesore. Elbasanllinjtë e ulur nëpër kafenera j’u duken si copa mishi. Vajti te tregu i veglave. Atje bleu një sëpatë të re. Me teh të ndritshëm, me bisht të shkurtër, prodhim turk sëpata. Tek priste kusurin e kaloi një herë tehun e sëpatës mbi faqe si brisk berberi. Pastaj, pasi perëndoi sytë, mori frymë thellë, nxori nga brenda një hungërimë të mbytur nga ato që nuk dëgjohen por botën tundin, dhe i ra bamb një trungu kasapi aty afër. Dhe e la sëpatën ashtu mbi trung të ngulur derisa futi kusurin në xhep. E shkuli sëpatën nga trungu, e futi në gji’, mbërtheu xhupin, u nis për në fshat.Fshati i Bardhulit shtrihet si gjarpër rrëzë Qafës së Krrabës në të dy anët e autostradës. Vidhas ka 300-400 shtëpi. Shumica të reja. Me oborre të sistemuar, me ngrohëse diellorë, me antena satelitore, me të gjitha. Në krye të fshatit, buzë rrugës, shtëpi e re gjigande e papërfunduar. Ai që e ndërtoi - thotë një i ngeshëm buza rrugës - nuk është më, ka vdekur. Në Greqi iku kur ishte 13 vjeç. Tani është, dua të them do ishte, 26 vjeç. Vdiq vjet në Greqi nga një aksident në punë. Këta që kanë mbetur, babai dhe vëllai, nuk e mbarojnë dot shtëpinë. Pas pak do vdesë edhe shtëpia. Nuk e hanë dot të gjithë kurbetin, disa i ha kurbeti.- E njihje Bardhulin ?- Po more, e kisha shok.- Si ndodhi në Broshkë ?!- Ehu, Bardhuli ishte i lojtur...- Pse ishte i lojtur Bardhuli, çfarë bënte, kujt i hynte në hise, kujt i prishte punë ?!- Jo, jo, Bardhuli vetëm punonte, asnjërit s’i hynte në hise, askujt s’i prishte punë, por i lojtur ishte.Pak a shumë këtë të thonë të gjithë bashkëfshatarët e Bardhulit. Madje, me siguri të shtuar shoqëruar me xheste keqardhjeje, edhe komshinjtë e tij.A ishte ajo që ndodhi në Broshkë...si të thuash...punë grash ?Të gjithë përgjigjen vendosmërisht: Jo !Fshati Broshkë ndodhet pak më tutje, në drejtim të Peqinit, sapo kalon Paprin, një të hedhur urën e Shkumbinit, nja dy kilometra në veri.Në Papër rrëzë një kodre bëhet Pazar. Jo madhështor si në Gostimë apo Rrogozhinë. I thjeshtë Pazari në Papër. Vetëm gjërat thelbësore, patate, qepë, fasule, oriz, makarona, fruta, bidonë uji, çikërrima industriale, pjesë për makina, audiokaseta etj. As dhjetë metra mbi Pazar, në faqe të kodrës, lapidar. Mbi lapidar pllakë përkujtimore. Askush nuk e di, sepse kurrkush nuk është ngjitur mbi kodërzën. Ç’shkruhet mbi pllakë, cila luftë u bë, pse u bë, sa luftëtarë u ndeshën, sa gjak u derdh, sa u vranë, kush dëshmor ra, kush ishin fitimtarët ?!- Kot e ke që sillesh këtej. Këtu s’ka mbetur frymë njeriu. Vetëm çiliminj dhe pleq me një këmbë në varr. Si dhe sakatët, ulokët, gjysmakët, çerekët. Të saktët, të rinjtë, të shëndetshmit, të fuqishmit i ke të gjithë në Greqi - thotë një kalimtar hokatar mbi urë. Hokatari është i pajisur me një talent të pabesueshëm; në të njëjtën kohë, edhe flet edhe fërshëllen, edhe lëviz sytë andej-këndej edhe lëviz nëpër dhëmbë një kunj shkrepëse.Broshka, fshat i hatashëm !Kodrat e buta si forma femrash, ullinjtë e bollëkut, Shkumbini i freskut, autostrada e kollajllëkut, të bëjnë të ngutesh të pyesësh për ndonjë shtëpizë të braktisur a makar ndonjë barrakë që mund të shitet lirë për të ardhur për të kaluar aty fundjavat.Të gjitha shtëpitë të mira. Shumica të mëdha të reja. Të tjerat të ndrequra. Të gjitha me kopështe të sistemuara me gardhe të bukura me hardhira. Boshka është e madhe; 1200-1300 shtëpi. Pak njerëz nëpër rrugica. Shumica janë në Greqi. Por ka edhe në Itali dhe gjetkë. Katër ose pesë lokale. Ja kafeneja e famshme ! E re, e madhe, e sistemuar për mrekulli nga jashtë dhe nga brenda. Si në përgjithësi kafenetë e fshatrave edhe këtu duke pirë kafe mund të blesh edhe djathë, turshi, kinkalerira shkolle, dhe të gjitha vogëlimat e jetës së përditshme. Pronari i kafenesë dhe dy bashkëfshatarë të tij japin përgjigje në një stil të habitshëm. Përgjigjet e tyre janë në të njëjtën kohë, edhe entuziaste edhe të përmbajtura, shoqëruar me një lloj qortimi të heshtur apo paralajmërimi të pashprehur drejtuar pyetësit që të mos e teprojë. E pastër kafeneja. Por, si pothuaj të gjitha kafenetë e fshatrave, nuk ka banjë. Dhe, si e ka thënë një i vjetër, ashtu si “Dashuria është një pallat ku arkitekti ka harruar shkallët, prandaj për të hyrë duhet të fluturosh”, edhe në këtë kafene arkitekti ka harruar banjën, dhe për të urinuar duhet të dalësh jashtë, majtas, rrëzë murit, anës lumit, kthesa e dytë, semafori i tretë.Ja tavolina ku! Katër karrige bosh rreth tavolinës. Mbi tavolinë një tavëll e pastër dhe telekomanda e televizorit.Në atë tavolinë, prej asaj dite nuk është ulur asnjë, saktëson hijerëndi kafexhiu. Pranë banakut, kompjuter. Sa duket kompjuteri përdoret rrallë ose kurrë. Sepse, mbi tavolinë, mes përdoruesit hipotetik dhe tastierës ndodhen; një lëng frutash, një ujë i gazuar, një tufë me kartpeceta, dy tavlla dhe një stilolaps. Nga përpara tavolinës së kompjuterit, atje po, atje bëhet nami ! Kafexhiu e ka mbuluar pjesën e përparme të tavolinës me një derr flamuri të kuq me stemën gjigande të Partisë Socialiste me karafil të kuq, me grusht, me të tëra.- Socialist je mo ?- Socialist jam për të qenë, se ne në këtë fshat pothuaj të gjithë socialistë jemi, por flamurin e kam vënë sa për të mbuluar altoparlantin kur bëjmë aheng. Ja, ngrije flamurin shih altoparlantin.- A qerrata-qerrata, pse të ngre flamurin të shoh altoparlantin dhe të mos ngre altoparlantin të shoh flamurin ?!- Bëj ore si të duash, ne këtu të shumtët të majtë jemi.Erdhi, pra këtu në Broshkë Bardhuli me sëpatë në gji për të nderuar zonjën e moçme vdekur. Në dhomën e burrave, piu kafe, tymosi cigare, hëngri hallvë. E talli a s’e talli kush pas shpine, Bardhuli s’e mori vesh, se as kokën se ktheu as gojën e hapi. Pas varrimit burrat u shpërndanë. Ca ikën nëpër shtëpira ca u rrafshuan nëpër kafenera. Baxhanaku me nja dy shokë hynë te ajo kafeneja socialiste me altoparlantët mbuluar me flamur partiak. Pas pak aty j’a behu dhe Bardhuli. Porositi një kuti të vogël kartoni me lëng frutash. E mori kutinë, e pagoi, doli e piu jashtë. Pastaj qetësisht u kthye përsëri brenda. Aty, një të hapur xhupin, u mbush me frymë thellë-thellë aq sa iu duk se edhe Librazhdin e futi brenda mushkërive. Dhe aty për aty lëshoi një klithmë. Një nga ato klithmat e amanozotshme të cilën, pasi çartallozi lëshon përpara, ajo, klithma pra, pasi ka udhëton rreth rruzullit, pas pak çastesh çartallozi e dëgjon nga pas. Një të ngritur sëpatën, dhe, porsi me rreze laser, i hoqi baxhanakut një pjesë të kokës. Një sektor sferik, një bunker me tul nga brenda, lesh nga jashtë. Pas prerjes, me dorën ende të nderë, lëshoi sëpatën. Sëpata vring më një qoshe. Bunkeri me tul dhe lesh, mbi mur. Gjaku vu’. Trutë në dysheme. Paskish thënë pas kësaj Bardhuli: Unë i vrava ! Ju ripini, piqini, copëtojini, hajini j’u bëfshin gjak e dhjam. Dhe iku u dorëzua.Lidhur me prerjen e kokës në dy pjesë, të nesërmen, një merakli i matjeve të sakta, doli në një përfundimin mahnitës. Perfeksionisti i matjeve tha, se prerja ishte realizuar me precizion kompjuterik në mënyrë të tillë që volumet e pjesës së mbetur dhe pjesës së flakur të qëndronin ndaj njëri-tjetrit saktësisht si përqindjet e së Majtës dhe së Djathtës në zgjedhjet e fundit parlamentare.Gratë motra - burrat baruta ! Njëri i punës, tjetri i qejfit. I punës në burg, i qefit në dhe’. Shqiptarë të dy!edisonypi@yahoo.com