BB: Pritëm dy vjet për projektet e bashkive
Pas debateve të shumta, akuzave mes forcave politike, mbi zhvendosjen e fondeve të pushtetit vendor, ja ku vjen dhe reagimi i institucionit që ka rolin kryesor në këtë proces, Banka Botërore. Përmes drejtoreshës Camille Nuamah, zyra e BB-së në Tiranë sqaroi pozicionin e saj rreth vendimit të qeverisë për të ndryshuar destinacionin e fondeve, nga Berati e Korça, për në Shkodër, si dhe projektin e Porto Romanos. Në thelb të sqarimit, Nuamah vuri në dukje faktin se BB ka pritur më shumë se dy vjet projektet e pushtetit vendor që të bënte disbursimin e fondeve, por ato u vonuan. Projekti i Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP), është projekti më i madh dhe ndoshta më kompleks, i financuar nga Banka Botërore në Shqipëri me një shumë prej 56 milionë USD (ku 35 milionë USD janë dhënë nga BB) i zbatuar prej tri ministrish – atë të Drejtësisë, Punëve Publike dhe asaj të Brendshme; si dhe me përfshirjen e 10 bashkive: Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kamzë, Korçë, Lushnjë, Shkodër dhe Vlorë. Ky projekt përbëhet nga tre komponentë të ndarë, por të lidhur me njëri-tjetrin. Projekti bashkëfinancohet nga SIDA suedeze dhe qeveria japoneze. Pikërisht, komponenti i tretë (më problematiku), lidhet me dy blloqe investimi në infrastrukturën e pushtetit vendor, dhe që varej nga Ministria e Brendshme. “Nga bërja efektive e projektit në muajin korrik 2007 deri në janar 2010, komponenti i tretë nuk ka dhënë asnjë kontratë të punimeve civile, pavarësisht nga përpjekjet e vazhdueshme dhe mbështetja e BB-së gjatë supervizimit të projektit. Vitin e kaluar, Banka i kërkoi qeverisë që të bënte ndryshimet e nevojshme për përshpejtimin e zbatimit, por progresi nuk ka qenë domethënës”, tha dje Nuamah. Fondet e papërdorura të Bankës Botërore kanë një kosto për vendin, sepse bllokohen burimet që mund të ishin përdorur më mirë diku tjetër. Në raste të tilla problematike, banka i rekomandon qeverisë të anulojë financimet e papërdorura. Në vijim të përmbytjeve të muajit janar në pjesën veriore të vendit, qeveria i bëri thirrje komunitetit të donatorëve për sigurimin e burimeve për të rindërtuar urgjentisht infrastrukturën e dëmtuar. Këtu ka hyrë sërish në lojë BB-ja, e cila në politikat e saj ka dhe marrjen e masave për rastet emergjente, duke pranuar, bashkë me qeverinë, rialokimin e fondeve. Aktualisht palët po shikojnë mundësinë e gjetjes së fondeve, të paktën për ato bashki që ishin drejt finalizimit të projektit.
#